Your dedications
Currently there are no new dedications

Art/Kulturë

91-VJEÇARJA “SHTATZËNË” ME FËMIJËN E TRETË TË PLEQËRISË

todayNovember 17, 2026 12

Background
share close

Hamite Çelaj-Mulosmani u lind më 6 korrik 1936, në Fang të Bujanit, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), në kullën e të atit, nacionalistit të njohur Zenun Ali Mulosmani, major i Mbretërisë Shqiptare, i vrarë nga forcat komuniste të ndjekjes në Bjeshkën e Gjarpnit (Tropojë), më 30 gusht 1946.
Ajo është mbesa e atdhetarit Ali Binak Mulosmani, krahinar i Nënprefekturës së Tropojës në kohën e Mbretit Zog I, si dhe stërmbesa e patriotit e pleqnarit të shquar Binak Ali Mulosmanaj.
Gjatë regjimit komunist, Hamitja kaloi 45 vite të jetës mes vuajtjeve, persekutimeve, sakrificave dhe qëndresës në kampet e internimit politik, nga Kalaja e Beratit në Tepelenë, Savër të Lushnjës, Radostinë të Fierit e Gradisht të Lushnjës.
Në internim u martua me Haxhë Mustaf Çelajn, nga Vuthajt e krahinës së Plavë-Gucisë, i cili vdiq më 1987, po në internim. Së bashku lindën dhe rritën pesë fëmijët e tyre në kushtet e internimit: katër vajza, Riten, Shqipen, Fluturën e Valbonën, dhe një djalë, Shkëlzenin.
Sot jeton me familjen në Francë, në emigracion politik. Libri “Histori e Përgjakur” është vëllimi i saj i dytë poetik, ndërsa ajo është tashmë në muajt e fundit të “shtatzënisë” me fëmijën e tretë të pleqërisë, librin e radhës.
Më çuditi kujtesa e saj e freskët, gati vajzërore, vitaliteti dhe shëndeti i mirë, me të gjitha shqisat e paprekura, pas gjithë atyre vuajtjeve. Për më tepër, është e zonja të flasë dy orë pa ndërprerje para kamerës, duke rrëfyer me thjeshtësi, dramacitet e melankoli ngjarje të ndodhura shtatëdhjetë vjet më parë.
Në moshën 91 vjeç, Hamite Çelaj duket sikur hap një derë të vjetër të kujtesës dhe, pas saj, del ngadalë një botë e tërë. Dalin njerëzit e familjes, burrat e kuvendit, gratë, fëmijët, shtëpitë, rrugët, kampet, burgjet, ikjet dhe kthimet. Secili vjen me fytyrën e vet, me zërin e vet, me fatin e vet. Por mbi të gjitha vjen ndjenja Sepse Hamite Çelaj shkruan si bijë. Kur kujton të atin, Zenunin, historia humbet ftohtësinë e dokumentit dhe merr ngrohtësinë e kujtimit familjar. Në sytë e vajzës, ai nuk është vetëm burri i qëndresës, i besës dhe i atdhedashurisë; është babai që ajo e ka mbajtur gjallë në kujtesë për gjithë jetën. E kujton të dashur, human, bujar e të ndjeshëm, por edhe të fortë e të prerë përballë padrejtësisë. Kështu, pas figurës historike shfaqet njeriu. Dhe lexuesi e kupton se historia, para se të jetë histori e madhe, është histori njerëzish të vegjël përballë vuajtjeve të mëdha. Nëpër faqet e librit kalojnë breza të tërë. Binak Alia, Ali Binaku, Zenuni, gratë e familjes, fëmijët, të afërmit, njerëzit e krahinës. Disa mbërrijnë nga largësia e legjendës, të tjerë nga afërsia e kujtimit. Disa vijnë me krenarinë e burrave të kuvendit e të besës, të tjerë me dhimbjen e njerëzve që u përplasën me internimin, burgun, humbjen dhe frikën. Kështu ndërtohet ngadalë një portret familjar që, pa e kërkuar me forcë këtë, shndërrohet edhe në portret të një kohe. Por ajo që e bën të veçantë rrëfimin është mënyra se si autorja e ruan fëmijërinë. Ajo nuk kujton vetëm datat. Kujton atmosferën. Kujton shtëpinë, oborrin, nënat, fëmijët, zërat, netët, pritjet, ankthin. Kujton atë që dokumentet nuk mund ta shkruajnë dot kurrë: një psherëtimë në një dhomë të ftohtë, një nënë që pret, një fëmijë që nuk kthehet në shtëpi, një fytyrë që shfaqet pas shumë vitesh. Kujtesa e Hamites na trego me gisht edhe dëshmi historike që nuk i dimë, por duhen mësuar. Që rreshtat e parë të librit dëshmo: Se atdhetari, shpiari i madh, pleqnari dhe një nga interpretuesit më të spikatur të Kanunit të Lekë Dukagjinit nder malet shqiptare është nip nga Palajt e Shoshit. Binaka Alia shfaqet si urë gjaku lidhëse mes Malësinë e Gjakovës me Dukagjinin, e ngritur mbi tabutë fanatike fetare. Prandaj kujtesa e saj është e kthjellët si uji i një burimi malor. Ndonëse vitet kanë kaluar, uji nuk e ka humbur pasqyrimin e fytyrave që ka mbajtur në të. Në pjesën e dytë të librit, lumi i kujtesës hyn në një nga shtretërit më të errët të jetës. Historia e Hamitit, djalit katërmbëdhjetëvjeçar, është ndër episodet më tronditëse. Ai merret nga shtëpia me një mashtrim të thjeshtë, me pretekstin se do t’i jepnin teserën e rinisë. Familja pret. Nata kalon. Ankthi shtohet. Pastaj vjen lajmi se fëmija ndodhet në qelitë e komisariatit. Në këtë çast, rrëfimi merr një dhimbje të veçantë. Përballë syve të lexuesit shfaqet një fëmijë me pranga, ndërsa përreth tij qëndron një botë e rritur, e ftohtë dhe e pamëshirshme. Dhe pas atij fëmije është një familje që nuk mund ta mbrojë. Është një pamje që nuk ka nevojë për shumë fjalë. Ajo flet vetë. Pastaj lumi i jetës kalon nëpër kampet e internimit. Tepelena, Gjaza, Savra, Çërma e vendet e tjera të vuajtjes bëhen si gurë të zinj në shtratin e tij. Familja humbet shtëpinë, lirinë dhe qetësinë, por nuk e humbet dëshirën për të jetuar. Nëna punon. Fëmijët rriten. Familja pret. Dhe pritja bëhet një formë tjetër e dashurisë. Ata duhet të jetojnë për të munguarin, për atë që është larguar, për atë që mund të kthehet. Kjo është një nga fijet më të holla e më të dhimbshme të librit: dashuria familjare që nuk dorëzohet edhe kur historia duket se ka vendosur të mos lërë më shpresë. Edhe në këtë errësirë shfaqet një dritë tjetër: solidariteti njerëzor. Në mes të një bote të pamëshirshme gjenden njerëz që ndihmojnë, strehojnë, sjellin ushqim, japin një fjalë, lehtësojnë një udhëtim. Janë pika të vogla drite në një natë të gjatë. Dhe ndoshta pikërisht për këtë janë kaq të bukura. Sepse në kohë të këqija edhe një fjalë e mirë bëhet një ngrohtësi e madhe. Pastaj vjen arratisja e Hamitit. Pas viteve të internimit dhe dënimit, ai zgjedh rrezikun e lirisë. Më 16 gusht 1958 arrin në Kosovë, ndërsa familja mbetet në pritjen e ankthshme të lajmit. A kishte kaluar kufirin? Apo ishte kapur? Dhe pastaj vjen letra. Një letër e shkruar larg familjes, por shumë pranë zemrës së saj. Një letër ku ai kërkon falje për vuajtjet që të tjerët kishin pësuar për shkak të tij dhe u kërkon vetëm të luten për të. Në këto momente libri nuk është më vetëm kujtim. Bëhet mall. Bëhet lot. Bëhet një dorë që zgjatet nga largësia drejt një familjeje që nuk e ka harruar.
Kujtimet e saj janë si një lumë që ka njohur të gjitha stinët: stuhi e murlan, ngrica e vapë përvëluese, terr e kthjelltësi, por që gjithmonë ka vazhduar të rrjedhë. Dhe ndoshta kjo është edhe metafora më e bukur e jetës së saj. Ajo ka kaluar nëpër shumë stinë, por nuk ka pushuar së rrjedhuri. Në këtë moshë, kur shumë kujtime mund të treten në mjegullën e viteve, kujtesa e autores vjen çuditërisht e kthjellët. Jo sepse koha nuk ka lënë gjurmë mbi të, por sepse ajo i ka ruajtur kujtimet me dashuri. Ajo nuk ka dashur t’i lërë njerëzit e saj të humbin për herë të dytë. Prandaj libri është një amanet. Një amanet i një bije për babanë. I një nëne për fëmijët. I një motre për vëllezërit. I një gruaje për familjen e saj. Por, mbi të gjitha, është një amanet i një gruaje të moshuar për brezat që vijnë. Ajo sikur u thotë: Mos i lini të humbin këta njerëz. Mos i lini të treten këto kujtime.
Mos harroni se pas çdo date, pas çdo ngjarjeje, pas çdo faqeje historie, ka pasur një zemër njeriu që ka rrahur, ka vuajtur dhe ka shpresuar. Në fund, ajo që mbetet më gjatë nuk është vetëm historia…. Kështu, lumi i kujtesës së Hamite Çelës vazhdon rrugën e vet. Herë i turbullt nga dhimbja. Herë i rënduar nga kujtimet. Herë i ndriçuar nga dashuria. Por në fund, gjithmonë i kthjellët. Dhe rrjedh drejt brezave të rinj, si një ujë i ftohtë që vjen nga larg, për t’u thënë atyre se e kaluara nuk është vetëm ajo që ka ndodhur; është edhe ajo që ne zgjedhim të mos harrojmë.

Shkruan Prel Milani:

Written by: Daors Media

Rate it