Your dedications
Currently there are no new dedications

Histori

GURËT QË RUAJNË KUJTESËN: MISTERI I VARREZAVE TË VUKSANLEKAJVE

todayNovember 8, 2026 7

Background
share close

Në Vuksanlekaj të Hotit, në Komunën e Tuzit, ndodhet një prej koleksioneve ma të rralla e ma enigmatike të artit tradicional të varrezave shqiptare. Në mes të varrezave të sotme katolike, kanë mbijetue rreth tridhjetë gurë monumentalë të varreve, të gdhendun me një mjeshtri që të len pa fjalë. Disa prej tyne arrijnë nji metër deri në nji metër e gjysë lartësi. Janë të orientuem kah perëndimi dhe të dekoruem jo vetëm në faqen e përparme, por edhe në pjesën e pasme e në pllakat mbuluese.

Ajo që i ban këta gurë të jashtëzakonshëm është gjuha e tyne simbolike.

Dielli, hana, yjet, rrathët koncentrikë, kryqet, rozetat, gjarpënjtë, zogjtë, shpatat, armët, shkopinjtë baritorë, lulet dhe figurat njerëzore përbajnë nji repertor të pasun ikonografik. Në disa prej tyne shihen figura burrash me veshje tradicionale, ndërsa ndër paraqitjet ma prekëse janë figura e nji grueje me fëmijë dhe portrete të skalituna drejtpërdrejt në gur.
Këtu nuk kemi vetëm gurë varresh. Kemi nji formë të rrallë të kujtesës popullore, nji arkiv të hapun në gur, ku mjeshtri anonim ka lanë gjurmë të botës shpirtënore, shoqnore dhe estetike të banorëve të kësaj treve.

Çka ka shkrue Robert Elsie?

Albanologu i njohun Robert Elsie i ka kushtue vëmendje të veçantë kësaj nekropole në shkrimin e tij mbi artin shqiptar të varrezave. Ai e konsideron Vuksanlekajn nji përjashtim të jashtëzakonshëm në traditën e varrezave shqiptare, ku motive të tilla popullore janë ruejtë në gurë e në kryqe druni.

Elsie vëren se simbole si dielli, hana, yjet, zogjtë dhe gjarpënjtë kanë qenë pjesë e artit tradicional shqiptar në varrezat katolike të Malësisë, përfshi Hotin, Kelmendin, Shalën, Grudën dhe Trieshin. Ai thekson se këto tradita sot janë ba tejet të rralla.

Për moshën e gurëve të Vuksanlekajve, Elsie ruan nji qëndrim të kujdesshëm: ata mund të datojnë prej gjysmës së dytë të shekullit XIX deri në fillim të shekullit XX, ndërsa motivet artistike që mbartin janë shumë ma të vjetra.

Kjo vërejtje asht me randësi: lashtësia e nji simboli nuk do të thotë domosdoshmënisht se edhe guri ku asht gdhendë i përket së njejtës periudhë.

Por historia shkencore e këtyne varrezave shkon edhe ma herët. Arkeologu dhe studiuesi i stećakëve, Šefik Bešlagić, e vizitoi nekropolen në vitin 1967 dhe botoi studimin Stari malisorski nadgrobni spomenici u Vuksan Lekiću në vitin 1970. Ai i vendosi këto monumente kryesisht në fund të shekullit XVII dhe gjatë shekullit XVIII, duke i krahasue me traditat e gurëve monumentalë të Ballkanit. Vëzhgimet e tij përfshijnë paraqitje njerëzore, gjarpënj, zogj dhe elemente të veshjes.

Studiuesi Aleksandar Berkuljan, në anën tjetër, ka theksue se historia e nekropolës nuk mund të zgjidhet me interpretime të ngutshme. Ai vëren se mungesa e epitafeve dhe mbishkrimeve e ban identifikimin e saktë të autorëve dhe të botës së tyne shpirtënore veçanërisht të vështirë. Kombinimet e kryqit, gjysmëhanës, rozetave, yjeve dhe figurave të tjera kërkojnë studim të kujdesshëm, jo përfundime të parapërgatituna.

Një trashëgimi që meriton me u mbrojtë

Këta gurë kanë nji randësi që shkon përtej kufijve të nji fshati apo të nji bashkësie fetare. Ata dëshmojnë për artin popullor shqiptar, për mjeshtrinë e gurgdhendësve, për traditat funerare të Malësisë dhe për mënyrën se si simbolet e vjetra kanë bashkëjetue me shenjat e krishtenimit.

Është joshëse me i lidhë drejtpërdrejt të gjitha këto simbole me Ilirët dhe me periudhën parakristiane. Disa prej tyne kanë paralele të njohuna në ikonografinë e lashtë mesdhetare dhe ballkanike. Por për me përcaktue prejardhjen dhe kuptimin e secilit motiv duhen studime krahasuese, dokumentim dhe analizë profesionale. Kjo nuk ua zvogëlon aspak vlerën; përkundrazi, e ban edhe ma të domosdoshëm studimin e tyne.

Edhe ma domethanëse asht se kjo pasuni ka mbijetue falë kujdesit dhe respektit të banorëve shqiptarë katolikë të kësaj treve, të cilët e kanë ruejtë këtë dëshmi të të parëve të tyne.

Por nuk mund të mbështetemi përgjithmonë vetëm në kujdesin e banorëve.

Komuna e Tuzit, Ministria e Kulturës dhe institucionet kompetente të Malit të Zi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për dokumentimin, studimin, konservimin dhe shpalljen e nekropolës së Vuksanlekajve monument të mbrojtun të kulturës.

Duhet të përgatitet inventari i secilit gur, fotografimi profesional, skanimi tredimensional, analiza e materialit dhe e teknikave të gdhendjes, si dhe nji studim ndërdisiplinor arkeologjik, etnologjik dhe historik. Duhet të sigurohet mbrojtja fizike e monumenteve dhe të hartohet nji projekt për interpretimin e tyne kulturor.

Nuk asht fjala vetëm me ruejtë disa gurë të vjetër. Asht fjala me ruejtë nji kapitull të historisë sonë që ende nuk e kemi lexue deri në fund.

Në nji kohë kur shumë popuj ndërtojnë muze për me ruejtë kujtesën e tyne, ne e kemi nji muze të hapun në gur, në zemër të Hotit. Vetëm se ende nuk i kemi dhanë statusin që meriton.

Gurët e Vuksanlekajve nuk kërkojnë me folë ma fort. Ata kanë folë për shekuj. Tash radha asht e institucioneve me i ndigjue.Komuna e Tuzit

Shkruan Sami Flamuri:

Written by: Daors Media

Rate it