play_arrow
Daors Radio
Sipas të dhënave të historianëve, në dokumentet e periudhës 1945–1989 figurojnë rreth 50 mijë deri në 60 mijë persona që kanë shërbyer si informatorë të policisë sekrete. Ata raportonin për aktivitetin e qytetarëve, përfshirë fqinjët, miqtë, kolegët dhe madje edhe familjarët e tyre, duke ndihmuar regjimin të kontrollonte shoqërinë dhe të shtypte kundërshtimet politike.
Nisma ishte një nga premtimet elektorale të kryeministrit Péter Magyar, i cili kishte deklaruar se do të mundësonte transparencë të plotë mbi veprimtarinë e ish-policisë sekrete. Ligji për hapjen e dosjeve u miratua në shtator, ndërsa projekti ka marrë mbështetje të gjerë nga qytetarët.
Publikimi pritet të nisë me dokumentacionin për rreth 9 mijë persona, i cili përmban të dhëna më të hollësishme dhe do të bëhet publik në shkurt, pas përpunimit të informacioneve personale dhe atyre që lidhen me viktimat.
Megjithatë, historianët paralajmërojnë se jo të gjithë personat e përmendur në dosje kanë të njëjtën përgjegjësi. Një pjesë janë detyruar të bashkëpunojnë përmes shantazhit apo presionit, ndërsa të tjerë kanë vepruar me dëshirë, në këmbim të përfitimeve. Për më tepër, dokumentet nuk janë të plota dhe në shumë raste mungojnë të dhënat mbi motivet e bashkëpunimit.
Hapja e arkivave pritet të sjellë edhe zbulime tronditëse në familjet hungareze, pasi shumë qytetarë mund të mësojnë për herë të parë se persona të afërt me ta kanë qenë informatorë të regjimit komunist.
Me këtë vendim, Hungaria synon të përballet me një nga kapitujt më të errët të historisë së saj dhe të vendosë më shumë transparencë mbi përgjegjësitë individuale gjatë diktaturës.
Shembuj të ngjashëm janë ndjekur edhe nga Gjermania Lindore, Republika Çeke dhe Letonia, të cilat kanë hapur arkivat e shërbimeve të tyre sekrete pas rënies së komunizmit.
Written by: Daors Media
Copyright Daors Media - Developed by Bledi Orhani