Your dedications
Currently there are no new dedications

Botë

GJERMANIA TRONDITET NGA PROTESTAT:

todayNovember 1, 2026 4

Background
share close

Protesta masive në Gjermani, incidente dhe përplasje me policinë në disa qytete
Dhjetëra mijëra të rinj dolën sot në rrugët e më shumë se 30 qyteteve në Gjermani, në kuadër të protestave mbarëkombëtare të organizuara nga nisma “Gen Z regelt”. Demonstruesit kërkuan më shumë investime në arsim, mbrojtje të klimës, drejtësi sociale dhe banesa me çmime të përballueshme, mosfutjen e shërbimit ushtarak me detyrim, dhe shprehën pakënaqësi ndaj politikave aktuale dhe pasigurisë për të ardhmen.

Sipas policisë, protestat gjatë ditës u zhvilluan kryesisht në mënyrë paqësore. Megjithatë, në mbrëmje situata u tensionua në disa qytete të mëdha, ku grupe të maskuara dhe individë të dhunshëm u përplasën me policinë.

Në Frankfurt am Main, policia shpërndau një demonstratë me disa mijëra pjesëmarrës pasi ata hodhën gurë dhe mjete piroteknike. Disa policë mbetën të plagosur, ndërsa rreth 100 persona sulmuan forcat e sigurisë me mjete piroteknike. Në terren u përdorën edhe topa uji për të rikthyer kontrollin e situatës.

Edhe në Këln pati incidente serioze. Policia ndaloi marshimin e planifikuar pasi u raportua përdorim i mjeteve piroteknike dhe pjesëmarrës të maskuar. Pas shpërndarjes së protestës, qindra persona tentuan të hynin në qendër të qytetit, por u ndaluan nga policia. Pasuan përleshje, gjatë të cilave u hodhën fishekzjarre dhe sende të tjera drejt policisë. Policia përdori dy topa uji dhe qindra forca shtesë për të shpërndarë turmën. Një polic u plagos, ndërsa pati edhe arrestime.

Në Hamburg, situata doli nga kontrolli në orët e mbrëmjes kur protestues të veshur me të zeza dhe pjesërisht të maskuar ndezën mjete piroteknike, shkatërruan barriera ndërtimi dhe i vunë zjarrin disa prej tyre. Policia reagoi me sprej piper dhe shpërndau turmën, ndërsa mediat gjermane raportuan për disa arrestime.

Në Nyremberg, autoritetet raportuan për një person të plagosur, dyshohet nga shpërthimi i një fishekzjarri. Pas përfundimit të demonstratës, policia ndaloi përkohësisht rreth 100 persona të konsideruar si të gatshëm për dhunë. Edhe në Bremen u regjistruan sulme të izoluara ndaj policëve, ndërsa një kontejner mbeturinash u dogj.

Në Berlin, protesta kryesore e organizuar nga “Gen Z regelt” pranë Portës së Brandenburgut u zhvillua pa incidente të mëdha. Megjithatë, gjatë një marshimi tjetër të mbajtur në mbrëmje u hodhën fishekzjarre dhe policia paralajmëroi se disa pjesëmarrës ishin të gatshëm të kryenin vepra penale. Autoritetet u bënë thirrje demonstruesve të distancohen nga aktet e dhunës dhe të shmangin përdorimin e mjeteve piroteknike.

Organizatorët e protestës kanë bërë vazhdimisht thirrje për protesta paqësore. Ata kërkojnë më shumë fonde për shkollat, mbështetje për shëndetin mendor dhe trajtimin e varësive, masa kundër rritjes së kostos së jetesës, më shumë drejtësi sociale dhe veprime më të forta për mbrojtjen e klimës.

Lëvizja kërkon më shumë banesa të përballueshme, kundërshton rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe shprehet kundër zgjerimit të mbikëqyrjes shtetërore.

Pavarësisht incidenteve në disa qytete, autoritetet gjermane vlerësuan se situata në nivel kombëtar mbeti kryesisht nën kontroll dhe se shumica dërrmuese e protestuesve morën pjesë në mënyrë paqësore.

Written by: Daors Media

Rate it