Your dedications
Currently there are no new dedications

Art/Kulturë

UDHËTIM LETRAR MES ARSYES, MISTERIT DHE DASHURISË:

todayOctober 31, 2026 12

Background
share close

Për romanin “Mes Shkencës dhe Dritës” të Prend Ndojës

Romani “Mes Shkencës dhe Dritës” i Prend Ndojës e vendos njeriun përballë disa prej pyetjeve më të vjetra dhe njëkohësisht më bashkëkohore të ekzistencës: Çfarë mund të shpjegojë shkenca? Ku fillon misteri? A mund të jetojnë arsyeja dhe besimi në të njëjtën hapësirë? Çfarë është ajo “dritë” që nuk shihet me sy, por që njeriu e ndien brenda vetes?
Vetë titulli i romanit përmbledh boshtin filozofik të veprës. “Shkenca” përfaqëson arsyen, dijen, kërkimin, faktin dhe përpjekjen njerëzore për të kuptuar universin. “Drita”, në anën tjetër, merr një kuptim shumë më të gjerë. Ajo është vetëdija, shpresa, mirësia, besimi dhe një pjesë e realitetit që nuk mund të matet gjithmonë me instrumentet e shkencës. Në këtë kuptim, romani nuk ndërton një luftë midis shkencës dhe shpirtërores, por kërkon një pikë takimi mes tyre. Kjo është një nga zgjedhjet më interesante të autorit. Dhe ajo pikë është dashuria. Nuk është një artific i autorit për ta kompaktësuar veprën. Përkundrazi, autori ka ditur që me dashurinë të ndërtojë bindshëm një urë, që i lidh ato në mënyrë të harmonishme e logjike.

Dy personazhe, dy mënyra për ta parë botën

Në qendër të romanit janë Maria dhe Marku, dy intelektualë shqiptarë të formuar në Amerikë, të cilët takohen rastësisht dhe gradualisht ndërtojnë jo vetëm një marrëdhënie dashurie, por edhe një dialog të vazhdueshëm intelektual. Maria është gazetare, e ndjeshme ndaj natyrës dhe problemeve të botës bashkëkohore, ndërsa Marku është profesor dhe astrofizikan, i lidhur fort me shkencën dhe mënyrën racionale të të menduarit.
Këtu qëndron një nga gjetjet themelore të romanit. Autori nuk i vendos protagonistët në një histori romantike dashurie. Ai i ndërton ata si dy zëra të një debati më të gjerë njerëzor. Duken gati si dy pole të kundërta, por që nuk janë kundërshtarë. Marku kërkon në çdo gjë shpjegimin, ndërsa Maria kërkon të gjejë kuptimin. Marku kërkon provën. Kurse Maria kërkon dritën. Si astrofizikant, ai i afrohet universit përmes ligjeve të tij. Ndërsa ajo kërkon t’i afrohet përmes misterit që mbetet përtej ligjeve.
Vetë romani e formulon këtë marrëdhënie si një “laborator mendimi”, ku dy botë nuk e përjashtojnë, por e plotësojnë njëra-tjetrën. Kjo e bën marrëdhënien e tyre më interesante se një histori të zakonshme dashurie. Dashuria lind dhe rritet paralelisht me dialogun e tyre për jetën, universin, Zotin, natyrën, moralin dhe fatin e njeriut.
Maria është simboli i dritës së brendshme.
Ajo është personazhi që mbart më qartë simbolikën e titullit. Që nga fëmijëria Maria lidhet me dritën e mëngjesit, natyrën dhe misterin e ekzistencës. Drita për të nuk është vetëm një fenomen fizik. Ajo bëhet gradualisht një gjendje shpirtërore. Në një nga momentet më domethënëse të romanit, Maria e dallon dritën fizike nga ajo shpirtërore. E para e ndihmon të shohë botën, ndërsa e dyta e ndihmon të kuptojë veten. Kjo ide përsëritet në forma të ndryshme përgjatë veprës dhe bëhet një nga fijet lidhëse të saj.
Veçanërisht domethënës është edhe formimi i saj midis dy botëve: Shkodrës së fëmijërisë dhe Amerikës së jetës së rritur. Maria nuk e humb vendlindjen kur integrohet në shoqërinë amerikane, përkundrazi, ajo i bashkon të dyja botët në identitetin e saj. Kështu, romani prek edhe një dimension të rëndësishëm të përvojës shqiptare bashkëkohore; integrimin pa humbur rrënjët.
Marku është simbol i shkencës përballë së panjohurës.
Duke qenë kundërpesha e domosdoshme e Maries, ai nuk paraqitet si mohues i misterit, por si një njeri që kërkon ta kuptojë atë përmes instrumenteve të dijes.
Debatet mes tyre janë ndër pjesët më karakteristike të romanit. Kur Maria argumenton se mund të ekzistojë një dimension i realitetit përtej asaj që mund të verifikohet, Marku i kujton asaj parimin themelor të shkencës: një përvojë personale nuk është domosdoshmërisht provë objektive. Maria, nga ana tjetër, nuk kërkon ta rrëzojë shkencën. Ajo kërkon ta plotësojë atë me dimensionin e përvojës shpirtërore.
Ky debat është i vlefshëm pikërisht sepse autori nuk e ndërton si një konflikt ku duhet të shpallet një fitues. Përkundrazi, Marku gradualisht kupton se pranimi i misterit nuk do të thotë domosdoshmërisht braktisje e arsyes. Në një moment domethënës, ai arrin të pranojë se mund të ketë diçka përtej asaj që deri atëherë kishte qenë në gjendje të shpjegonte. Kështu, ndryshimi i Markut nuk është një kapitull fetar, por një zgjerim i horizontit të tij njerëzor dhe filozofik.
“Drita” është padyshim simboli më i fuqishëm i romanit.
Ajo shfaqet si dritë e mëngjesit, si dritë e natyrës, si dritë e dijes, si dritë e dashurisë, si shpresë dhe si dimension shpirtëror. Përballë saj qëndron errësira që në një farë mënyre materializohet tek vdekja, frika, dëshpërimi, vuajtja, luftrat, humbja dhe padija. Kjo simbolikë nuk mbetet vetëm në nivel abstrakt. Ajo futet në jetën konkrete të personazheve. Vdekja e babait të Maries, Gjergjit, është një nga momentet më të forta emocionale të romanit. Në spital, përballë paaftësisë së mjekësisë për ta shpëtuar atë, njeriu ndeshet me kufirin e shkencës dhe me brishtësinë e ekzistencës.
Në atë çast, tema e romanit merr një kuptim më të thellë. Shkenca mund të luftojë deri në kufirin e mundësive të saj, por njeriu gjithmonë mbetet përballë një pjese të misterit që nuk e kontrollon dot. Dhe pikërisht këtu romani lidhet natyrshëm me idenë se shpresa është drita që mbetet edhe atëherë kur gjithçka tjetër duket e errët. Kjo shprehet edhe më bukur me aksidentin e Markut dhe luftën e tij drejt jetës.
Dashuria si përgjigje.
Një meritë tjetër e autorit është se dashurinë mes Maries dhe Markut nuk e paraqet vetëm si një histori sentimentale. Ajo, përgjatë linjave të romanit, bëhet një lloj përgjigjeje ekzistenciale. Ata kalojnë së bashku përmes humbjeve, sprovave dhe pasigurive. Dashuria e tyre testohet nga jeta reale, jo vetëm nga emocionet. Në këtë mënyrë, autori e largon dashurinë nga romantizmi i thjeshtë dhe e vendos në një dimension më njerëzor, që është dashuria si përgjegjësi, mbështetje, qëndresë dhe ndarje e barrës së jetës. Në një nga formulimet më të bukura të veprës, ideja është se një peshë e rëndë, kur merret nga dy njerëz, bëhet më e lehtë. Kështu, dashuria bëhet një tjetër formë e “dritës”.

Romani dhe bota shqiptare në diasporë

Një aspekt që meriton vëmendje në roman është mënyra se si autori e trajton emigracionin. “Mes Shkencës dhe Dritës” nuk është një tjetër roman mbi emigrantin që vuan në kërkim të një jete më të mirë. Përkundrazi, ai përpiqet të paraqesë një brez tjetër emigrantësh shqiptarë. Ata që janë tashmë njerëz të arsimuar, të integruar, profesionalisht të suksesshëm dhe të aftë për të marrë pjesë në debatet intelektuale të shoqërisë ku jetojnë. Kjo është një zgjedhje e vetëdijshme e autorit dhe e dallon veprën nga një pjesë e konsiderueshme e letërsisë së emigracionit.
Në këtë aspekt, romani ka edhe një vlerë përfaqësuese. Maria dhe Marku mishërojnë një brez shqiptarësh që jetojnë mes dy kulturave dhe arrijnë të krijojnë një identitet të ri pa e mohuar origjinën. Shkodra, Long Islandi, Manhattani dhe vende të tjera që përshkohen gjatë rrëfimit krijojnë një hapësirë gjeografike të gjerë, por edhe një hartë shpirtërore ku e kaluara dhe e tashmja bashkëjetojnë.

Gjuha, dialogu dhe mënyra e rrëfimit

Në pikëpamje stilistike, romani mbështetet shumë te dialogu. Dialogët e Maries dhe Markut janë njëkohësisht dialogë personazhesh dhe dialogë idesh. Përmes tyre autori fut në tekst probleme të astrofizikës, filozofisë, moralit, besimit dhe kuptimit të jetës. Kjo është një zgjedhje ambicioze, sepse e nxjerr romanin përtej një narrative thjesht sentimentale. Në vend të një dashurie të izoluar nga bota, lexuesi merr pjesë në një marrëdhënie ku dashuria shoqërohet me kërkimin intelektual. Ka një ndërthurje të bukur të narrativës artistike me refleksionin shkencor e atë filozofik, ku dialogu bëhet një element i rëndësishëm i ndërtimit të veprës.
Përshkrimet e natyrës janë gjithashtu një komponent i rëndësishëm. Sidomos në pjesët që lidhen me fëmijërinë e Maries në Shkodër, natyra nuk përdoret si dekor. Ajo është pjesë e formimit të personazhit. Drita, liqeni, pemët, mëngjeset dhe ndryshimi i stinëve bëhen elemente të psikologjisë së saj. Kjo pasurohet më tej gjatë veprës, me udhëtimet plot ngjyrime në Firence e në Ishujt Fiji, në Niagara e në Meksikë e në vende të tjera ku Marku e Maria shkojnë sëbashku. Nëpërmjet tyre e përmes Maries gazetare, autori sjell edhe informacione të rëndësishme, që e tërheqin më shumë lexuesin dhe e pasurojnë veprën.
Një roman me ambicie filozofike
Vlera kryesore e romanit “Mes Shkencës dhe Dritës” qëndron te ambicia për ta vendosur letërsinë në një hapësirë ku takohen shkenca, filozofia, dashuria dhe spiritualiteti. Këtë autori nuk e ka si qëllim në vetvete, por e ndërton bukur organikisht, duke dhënë një vepër me një risi të bukur letrare.
Prend Ndoja nuk pretendon se shkenca është e pamjaftueshme në vetvete. Përkundrazi, ai e respekton dijen shkencore, por ngre pyetjen nëse gjithçka që është e rëndësishme për njeriun mund të matet. Në këtë pikë, romani prek një problem universal: A është e gjithë e vërteta e kufizuar vetëm nga ajo që mund të provojmë? Është pikërisht kjo pyetje që e bën veprën të hapur ndaj reflektimit.
Një nga idetë më të goditura të romanit është se materia dhe drita mund të shihen si dy nivele të ndryshme të përvojës njerëzore. Njëra lidhet me formën dhe ekzistencën materiale, tjetra me kuptimin dhe orientimin moral.
Megjithatë, “Mes Shkencës dhe Dritës” nuk mbetet një roman idesh. Nëse do të ishte vetëm i tillë, do të rrezikonte të shndërrohej në një ese të gjatë filozofike. Ajo që e rikthen vazhdimisht veprën në territorin e letërsisë është marrëdhënia njerëzore e Maria dhe Markut. Dashuria e tyre paraqitet edhe si një mënyrë për ta përballuar peshën e ekzistencës. Autori kërkon të flasë përtej historisë së dy njerëzve. Është një vepër mbi kërkimin njerëzor për kuptim. Përgjigjja që sugjeron romani është e thjeshtë, por e fuqishme: njeriu mund të mos e ketë gjithmonë përgjigjen përfundimtare mbi misterin e ekzistencës, por mund të zgjedhë të ecë drejt dritës. Ose, siç thuhet edhe në parathënien e tij: për të shpërndarë errësirën, ndonjëherë mjafton vetëm një rreze drite.

Ndue Lazri
Gazetar, Itali

Written by: Daors Media

Rate it