Your dedications
Currently there are no new dedications

Art/Kulturë

VIKTOR STRATOBËRDHA – NJË JETË QË U BË FILM I SISTEMIT

todayOctober 28, 2026 5

Background
share close

Mevlan Shanaj:

Rasti i Viktor Stratobërdhës është një dëshmi e dhimbshme se si komunizmi, pasi i përdorte njerëzit, mund të kthehej edhe kundër tyre.
Sipas dokumenteve arkivore, ai u vu nën ndjekjen e Sigurimit të Shtetit dhe, siç dëshmohet, refuzoi dy herë të bashkëpunonte me të.
Në vetëm 13 muaj veprimtari si regjisor, Stratobërdha dëshmoi një sy të veçantë artistik. Në materialet e AQSHF-së, situata të zakonshme të jetës shndërrohen në realizëm, ironi dhe humor të hollë. Filmi Pse kështu? (1955) lidhet me projektin e censuruar Qeshim se nuk qajmë.
Këta filma mbetën të burgosur për rreth katër dekada, pa u diskutuar e pa u njohur nga publiku. Burgosja e filmave zgjati shumë më tepër se ajo e vetë njeriut.
Vetëm falë përkujdesjes së Natasha Lakos, në kohën kur drejtonte Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, këto krijime nisën të takoheshin me publikun në sallat e AQSHF-së u shfaqën në Pallatin e Kulturës për publik të gjerë si edhe për studentët e filmit në Universiteti i Arteve.
Regjisorja Xhanfise Keko më tregonte se, gjatë xhirimeve të Tomkës dhe shokëve të tij në Berat, kishte parë Viktor Stratobërdhën mes kureshtarëve. Pas burgosjes dhe internimit, ai mbante mbi vete një histori vuajtjeje që vetëm zemra e tij mund ta dinte plotësisht.
Vite më vonë, nga Kanadaja, ai i dërgoi Natasha Lakos rrëfimin e jetës së tij, të shkruar me dorën e vet.Besoj se letra duhet të jetë në AQSHF.
Por unë, si njeri i kinemasë që i kam parë dokumentarët e tij, mendoj se historia e Stratobërdhës nuk shpjegohet vetëm me përplasjen e tij me sistemin. Ai do të ishte një krijues i veçantë edhe për vetë gjuhën artistike që kishte zgjedhur.
Sipas gjykimit tim, ai nuk u bë i papranueshëm vetëm për shkak të bindjeve politike, por edhe sepse krijimtaria e tij shpërthente përtej standardizimit të realizmit socialist.
Në ekranin e tij shfaqen situata që të habisin me absurditetin dhe çuditshmërinë e tyre. Mendoni drutë që çahen me sëpatë brenda një apartamenti, apo dhinë që gjendet në katin 8 tretë! Këto imazhe më kujtojnë lopën e Luis Buñuelit të shtrirë mbi krevat. Nuk po them se të dy regjisorët kanë të njëjtën gjuhë artistike, por se te Stratobërdha shfaqet një liri e imagjinatës që nuk pajtohet lehtë me normat e imponuara.
Për mua, ai është një lloj Buñueli i burgosur, një ish-partizan që luftoi me mullinjtë e erës, por që, në vend të lirisë krijuese, gjeti burgun, internimin dhe heshtjen.
Jeta e tij u bë një film i madh mbi sistemin dhe karakterin njerëzor.
Dhe këtu lind paradoksi: ndërsa Stratobërdha u përndoq dhe u privua nga krijimtaria, të tjerë, që sipas dëshmive dhe dokumenteve kishin bashkëpunuar me mekanizmat e regjimit, ruajtën respektin publik dhe morën poste e tituj.
Edhe pas viteve ’90, disa artistë që kishin heshtur në kohë të vështira u vlerësuan nga pushteti i ri. Ndryshuan pushtetet, por jo gjithmonë mënyra e përzgjedhjes së njerëzve që nderohen.
Sigurisht, heshtja nuk është e njëjtë me spiunimin. Por historia kërkon që veprat dhe përgjegjësitë të gjykohen me të njëjtin standard, pavarësisht se kush është në pushtet.
Viktor Stratobërdha nuk mori titujt që, sipas meje, mund të meritonte. Por dinjiteti i tij nuk varet nga një dekoratë.
Komunizmi nuk i ndëshkoi gjithmonë njerëzit sipas asaj që kishin bërë, por edhe sipas asaj që pushtetit i duhej të bënte me ta.
Dhe pyetja mbetet edhe sot: a kemi mësuar t’i vlerësojmë njerëzit për veprën dhe karakterin e tyre, apo vazhdojmë t’i gjykojmë sipas shërbimeve që i bëjnë pushtetit?
Ka njerëz që marrin tituj nga pushtetet e kohës. Ka të tjerë që, edhe pa tituj, lënë pas një dëshmi më të fortë: ndërgjegjen dhe veprën e tyre.
Viktor Stratobërdha: regjisori që nuk e burgosi dot imagjinatën, edhe pse ia burgosën jetën.

P.S.

Një ndër bashkëudhëtarët dhe dëshmitar i njohjes së vërtetës së denoncimit të Viktor Stratobërdhës para se të largohej nga kjo jetë regjisori Kristaq Dhamo e bëri publike me shkrim emrin e A.H.autorit të denoncimit që u bë shkak për rrënimin e jetës të regjisorit të parë të filmit shqiptar.

Written by: Daors Media

Rate it