Your dedications
Currently there are no new dedications

Opinion

NUK JAM ASPAK I LUMTUR QË E PARASHIKOVA KARRIERËN POLITIKE TË EDI RAMËS ME SAKTËSI MILIMETRIKE

todayOctober 17, 2026 17

Background
share close

Autor: Lirim Gashi

Nuk jam aspak i lumtur që jam shqiptari i parë që parashikoi me saktësi milimetrike se çfarë roli do të luante Edi Rama në vitet e ardhshme si kryeministër i Shqipërisë.

Ka parashikime që, kur realizohen, të sjellin kënaqësi. Por ka edhe të tjera që të lënë me shijen e hidhur të një njeriu që do të jepte gjithçka vetëm që të ishte gabuar.

Ky është një prej atyre momenteve.

Karrierën politike të Edi Ramës e parashikova ende pa u bërë ai kryeministër, ditën kur ia dorëzoi Goran Bregoviqit Çelësin e Tiranës. Për mua, ai gjest mishëronte atë bujari të çuditshme me të cilën një pjesë e politikës shqiptare u dhuron politikanëve, intelektualëve dhe artistëve serbë certifikata vëllazërie, sikur historia të ishte një fletore e vjetër që mund ta grisësh e ta hedhësh në kosh sa herë që ta prish humorin.

Problemi është se politika serbe nuk u bë papritur më e mirë pas Millosheviqit. Ndryshuan fytyrat, kostumet, fjalimet dhe teknikat e marrëdhënieve me publikun, por unë nuk e pata talentin e nevojshëm për t’u mahnitur nga ambalazhi, kur përmbajtja vazhdonte të m’i ngjallte të njëjtat dyshime.

Nuk po them se çdo politikan serb është i njëjtë. Po them se ndryshimi i pamjes së jashtme nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshimin e thelbit të politikës.

Nuk jam i lumtur as që një pjesë e shqiptarëve po mbyteshin në eufori, ndërsa disa adhurues të verbër të Vetëvendosjes e kishin ngritur entuziazmin në atë shkallë saqë çdo dyshim ndaj Ramës u dukej pothuajse si tradhti kombëtare.

Pastaj erdhi skena që, sipas interpretimit tim, e bëri të panevojshëm çdo koment të mëtejshëm.

Vuçiqi e priti Ramën në zyrën e tij në Beograd dhe, sipas mënyrës se si e interpretova unë atë takim, e vendosi qëllimisht veten në pozitën e një nikoqiri që e durooi poshtërimin nga mysafiri i ardhur nga Tirana, duke ia lejuar këtij të fundit të deklaronte se Kosova është shtet i pavarur, para miliona serbëve që po e ndiqnin drejtpërdrejt takimin nëpërmjet ekraneve televizive.

Për ta bërë skenarin edhe më të besueshëm, ia lejoi Ramës të shkonte në Preshevë dhe ta mbante një fjalim të zjarrtë nacionalist.

Çfarë mjeshtërie teatrale!

Në Beograd, Vuçiqi e duroi skenën e përulësisë; në Preshevë, ia mundësoi Ramës skenën e heroizmit.

Në njërën anë, nikoqiri që përcaktonte kufijtë e lojës; në anën tjetër, mysafiri që mund të luante rolin e luanit para publikut të vet.

Dhe kështu, sipas bindjes sime, disa shqiptarëve naivë iu dha mundësia ta shihnin Ramën si babanë e ri të kombit, i cili, për çudi, kishte lindur pikërisht atë ditë në Beograd.

Ndërkohë, Vuçiqi mund të buzëqeshte me qetësinë e njeriut që besonte se e kishte shkruar skenarin më mirë sesa që po e interpretonte vetë aktori kryesor.

Në këtë teatër, publiku duhej të emocionohej, aktorit kryesor duhej t’i bëheshin duartrokitje, ndërsa regjisori duhej të mbetej sa më pak i dukshëm. Sepse, në politikë, regjisori më i suksesshëm është ai që i bind aktorët se shfaqja është ide e tyre.

Dhe, nëse skenari vazhdon sipas kalkulimeve të BIA-s, ky baba i ri politik do t’ua q… nënat të gjithë shqiptarëve në vitet e ardhshme. Jo domosdoshmërisht përmes ndonjë akti të vetëm spektakolar, por nëpërmjet asaj mënyre të zakonshme, të sofistikuar dhe të buzëqeshur, me të cilën politika tradhtare ua shet interesat e veta budallenjve si fitore historike të popullit.

Do të doja që Edi Rama të ishte vërtet ai që u paraqitej shqiptarëve.

Do të doja që fjalët e tij të përputheshin njëqind për qind me interesat tona dhe që gjestet e tij të vëllazërisë të mos më jepnin arsye për dyshime. Mbi të gjitha, do të doja që realiteti ta përgënjeshtronte parashikimin tim.

Por politika nuk është konkurs dëshirash, ku fiton ai që ka qëllimet më të mira.

Politika është lojë interesash, ku naiviteti i njërit mund të shndërrohet në kapital politik për mashtruesin.

Në këtë lojë, optimisti shpesh shpallet patriot, skeptiku trajtohet si pengesë, ndërsa atij që paralajmëron rrezikun i këshillohet të mos e prishë atmosferën.

Kur pasojat bëhen të dukshme, përgjegjësia zhvendoset diku tjetër, ndërsa meritat i përkasin atij që gjendet më pranë mikrofonit.

Megjithatë, askush nuk mund të më fajësojë pse nuk arrij të gëzohem kur realiteti më jep të drejtë.

Unë nuk e kam shpikur këtë realitet dhe as nuk i kam shkruar skenarët e tij. Kam bërë vetëm atë që, sipas bindjes sime, duhet të bëjë një njeri që e merr seriozisht politikën: kam vëzhguar, kam krahasuar, kam analizuar dhe kam nxjerrë përfundime, pa pritur që entuziazmi kolektiv të më japë leje për t’i besuar aftësisë sime për të gjykuar.

Ata që më lexojnë prej vitesh e njohin mënyrën time të analizimit të politikës. Unë nuk i lexoj hieroglifet e saj duke pritur që dikush në televizion të ma përkthejë kuptimin. Përpiqem t’i deshifroj vetë, përpara se përkthyesit zyrtarë të fillojnë të na shpjegojnë se disfata ishte fitore, poshtërimi ishte diplomaci dhe naiviteti ishte mençuri shtetërore.

Këta përkthyes kanë një talent të jashtëzakonshëm: janë në gjendje ta shndërrojnë një humbje të pastër në sukses strategjik, mjafton t’ia ndryshojnë emrin.

Nëse një politikan lëshon pe, paska treguar fleksibilitet; nëse hesht përballë poshtërimit, paska ruajtur gjakftohtësinë diplomatike. Nëse vazhdohet kështu, një ditë edhe fundosja e anijes do të shpallet sukses lundrimi, me arsyetimin se ekuipazhi pati mundësinë ta njihte nga afër fundin e detit.

Natyrisht, edhe unë mund të gaboj. Por kjo nuk është arsye për të hequr dorë nga mendimi kritik dhe as për t’ia nënshtruar gjykimin tim entuziazmit të turmës. Do të vazhdoj t’i lexoj hieroglifet, edhe kur turma të jetë e zënë duke i puthur piramidat.

Dhe do të preferoja një mijë herë të isha gabim, sesa të kisha të drejtë në kurriz të popullit tim.

Sepse fatkeqësia ime nuk qëndron në faktin se nuk e kuptoj gjithmonë politikën. Fatkeqësia ime është se, kur arrij ta kuptoj, shpesh do të doja të isha aq naiv sa të mos e kisha kuptuar fare.

Written by: Daors Media

Rate it