Your dedications
Currently there are no new dedications

Sport

Alban Xhaferi nuk ndalet: Respektoj dënimin tim, por standardi mungon për arbitrat. Kujtoni dëmtimin e Erdenis Gurishtës!

todaySeptember 4, 2026 33

Background
share close

✍️ Presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi vazhdon betejën personale me FSHF dhe arbitrat, duke kërkuar standard të njëjtë edhe për ata, pas dënimit të tij për 15 ndeshje. Xhaferi i kthehet një rasti në final4, ku Aliyev i Egnatias i theu hundën Gurishtës, por arbitri dha të verdhë dhe VAR nuk ndërhyri.

“Kam pranuar përgjegjësinë time, kam kërkuar publikisht ndjesë për veprimet e mia dhe vendimin e marrë nga Komisionit të Disiplinës dhe Etikës do ta respektoj.

Dua t’i rikthej opinionit sportiv një episod që nuk duhet harruar. Më 23 maj 2026, në ndeshjen Final Four Vllaznia-Egnatia, lojtari i Egnatias, Aliev, goditi me bërryl në fytyrë lojtarin tonë Erdenis Gurishta, duke i shkaktuar një dëmtim serioz në hundë.
Pamjet flasin vetë. Megjithatë, nuk pati karton të kuq. Nuk ndërhyri arbitri i ndeshjes, Enea Jorgji, dhe nuk pati ndërhyrjen që prisnim as nga Juxhin Xhaja në VAR.

Dhe nuk po flasim për një episod periferik. Ishte një moment që mund të ndryshonte rrjedhën e një ndeshjeje vendimtare për titullin kampion. Në vlerësimin tonë, Vllaznia duhej ta vazhdonte atë ndeshje përballë një kundërshtari me dhjetë lojtarë.
Sot Aliev vazhdon normalisht aktivitetin e tij futbollistik, ndërsa Gurishta është ai që mbajti dhe vazhdon të mbajë pasojat e asaj goditjeje.

Edhe Enea Jorgji dhe Juxhin Xhaja kanë vazhduar aktivitetin e tyre pa një masë disiplinore të bërë publike për atë episod.
Prandaj pyetja është shumë e thjeshtë:
A duhet të ketë një standard për presidentët, drejtuesit dhe klubet, dhe një standard tjetër kur gabimet apo mosveprimet vijnë nga njerëzit që duhet të garantojnë drejtësinë e ndeshjes?

Nëse kërkojmë, me të drejtë, ZERO TOLERANCË ndaj dhunës, atëherë ajo duhet të jetë zero tolerancë për të gjithë.
Dhe kam dy pyetje publike për FSHF-në dhe opinionin sportiv:
A mund të garantohet qetësia, besimi dhe një ndeshje pa tension nëse Enea Jorgji apo Juxhin Xhaja caktohen përsëri për të arbitruar ndeshjet e Vllaznisë?

A mund të flasim bindshëm për parandalimin e dhunës në futboll, nëse një goditje e tillë me bërryl, me pasoja konkrete për shëndetin e një futbollisti, kalon pa përgjegjësi sportive?

Unë nuk kërkoj privilegj për Vllazninë.

Nuk kërkoj një standard tjetër për veten.

Kërkoj pikërisht të kundërtën:

TË NJËJTIN STANDARD PËR TË GJITHË.”

Written by: Daors Media

Rate it