Your dedications
Currently there are no new dedications

Art/Kulturë

Fishta kujtohet në 155-vjetorin e lindjes, por Ministria e Kulturës u ka vënë çelësin objekteve në Fishtë.

todayOctober 24, 2026 18 3

Background
share close

Në përvjetorin e 155-të të lindjes së At Gjergj Fishtës, emri i poetit dhe një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare rikthehet në vëmendje. Por përtej ceremonive dhe fjalëve për vlerat e tij, në Fishtë të Lezhës vijon një realitet krejt tjetër.

Shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta, e rikonstruktuar dhe inauguruar në tetor 2020, në prani edhe të kryeministrit Edi Rama, prej pesë vitesh qëndron e mbyllur. Objekti që duhej të ishte një pikë referimi për vizitorët dhe trashëgiminë e Fishtës nuk ka asnjë funksion të mirëfilltë për publikun. Dyert janë të kyçura, ndërsa brenda kanë nisur të shfaqen shenja degradimi.

Për turistët dhe vizitorët që mbërrijnë në Fishtë për të ndjekur gjurmët e poetit, mungon edhe mundësia më elementare, të hyjnë në shtëpinë e tij dhe të njohin nga afër historinë e saj.

I njëjti realitet shfaqet edhe te kompleksi pjesë e itenerarit “Gjurmë Fishtjane”, i inauguruar në mars 2025. Edhe pse u ndërtua në kuadër të promovimit të trashëgimisë së Fishtës, objekti vijon të jetë bosh, me dyer të mbyllura dhe pa një funksion konkret për vizitorët.

Kontrasti është i dukshëm. Ministria e Kulturës e rikthen Fishtën në vëmendje sa herë vjen një përvjetor apo aktivitet kulturor, por vendet që duhet të tregojnë historinë e tij mbeten jashtë funksionit.

Nuk mjafton të restaurosh një shtëpi, të ndërtosh një kompleks dhe të organizosh ceremoni inaugurimi. Këto hapësira duhet të jetojnë, të mirëmbahen dhe mbi të gjitha të jenë të hapura për publikun.

Fishta nuk ka nevojë vetëm për përvjetorë dhe ceremoni. Ka nevojë që vendet që mbajnë emrin dhe historinë e tij të jenë të hapura, funksionale dhe të aksesueshme për shqiptarët dhe turistët që mbërrijnë në Fishtë.

Written by: Daors Media

Rate it