Your dedications
Currently there are no new dedications

Histori

Liri me Çmim Tregu Nazist: Si i shiste Komanda Gjermane jetët e Hebrenjve në Shqipëri:

todayMay 29, 2026 22

Background
share close

Narrativa historike mbi mbijetesën e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore shpesh fokusohet te mbrojtja e pastër morale. Megjithatë, kur shqyrtohen dokumentet zyrtare të kohës — si kabllograme sekrete dhe raporte policore të prill-majit 1944 — drita e arkivave zbulon një realitet shumë më dramatik dhe pragmatik. Dokumentet dëshmojnë një të vërtetë të historike: Komanda Gjermane në Shqipëri e kishte kthyer gjuetinë e hebrenjve në një biznes të pastër gjobëvënieje, ku liria e qenies njerëzore nuk garantohej nga ligji, por blihej shumë shtrenjtë direkt tek ushtria naziste.
Këto dokumenta arkivore na ofrojnë një dritare se si funksiononte kjo makineri e korrupsionit të luftës në Shkodër dhe Tiranë, duke treguar njëkohësisht edhe pafuqinë e plotë të strukturave shtetërore shqiptare përballë pushtuesit.
Çështja e Shkodrës: 60.000 Franga për katër jetë njerëzore
Rasti i parë, i dokumentuar përmes korrespodencës sekrete midis Prefekturës së Shkodrës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, zbulon skemën klasike të gjobëvënies naziste. Gjermanët nuk nxitonin t’i dërgonin të arrestuarit në kampet e vdekjes; ata i përdornin si pengje financiare. Në telegramin e parë të Prefekturës së Shkodrës (Nr. 191 RES), Prefekti Jafer Hurshiti njofton me alarm Tiranën: “Informohemi se Komanda S.D. Hausding ka arrestue katër ebrej prej Prishtine dhe me qendrim në ket qytet. Thuhet se këtyne u janë kërkue njimijë napolona ari për lirim.”
Ky arrestim nga Shërbimi i Sigurisë Gjerman (S.D.) nën drejtimin e Hausding ishte fillimi i një pazari të ethshëm. Vetëm dy ditë më vonë, më 4 maj 1944, telegrami pasues (Nr. 191/I RES) konfirmon se transaksioni u krye me sukses: “Informohemi se ebrejt e arrestuem nga Komanda Gjermane u lanë te lirë mbasi paguen gjobën prej fr.shq. gjashtëdhetëmijë.”
Reagimi i shtetit kuisling shqiptar përballë këtij akti dëshmon pafuqinë e tij të plotë administrative.
Ministria e Brendshme nxiton të dërgojë një telegram shifër (Nr. 1123/I) për të kuptuar se kush i mori paratë: “Njoftonani se shumën ne fjale Komanda Gjermane e ka marrë a por ajo Prefekturë?”. Përgjigjja e Shkodrës vjen e prerë më 5 maj: “Shumen në fjalë e ka marrë Komanda Gjermane”.
Ky detaj është kyç: autoritetet shqiptare as nuk kishin gisht në këtë pazar dhe as nuk përfitonin prej tij. Ata ishin spektatorë zyrtarë të një skeme ku ushtria gjermane shiste lirinë e hebrenjve me çmim tregu. Gjithçka që Ministria e Brendshme mund të bënte, ishte një notë e vakët proteste drejtuar Ministrisë së Jashtme (Nr. 1123/17), ku lutej për ndërmjetësim që “autoritetet ushtarake Gjermane të mos nderhyejnë nder punët e mbrendëshme t’ona”. Për katër hebrenjtë e Prishtinës, shpëtimi nuk erdhi nga ndonjë mbrojtje ligjore apo institucionale, por nga aftësia e tyre për të paguar cash haraçin e majmë nazist.
Çështja e Tiranës: Kur sekuestrimi i parave çonte në vdekje
Nëse në Shkodër paratë blenë lirinë, raporti i hollësishëm i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Tahir Kolgjini, i datës 23 maj 1944 (Nr. 00153 i Prot.), tregon anën tjetër të medaljes: çfarë ndodhte kur gjermanët u sekuestronin hebrenjve çdo qindarkë, duke ua pamundur pagimin e ryshfetit. Raporti përshkruan arrestimin e gjashtë hebrenjve të familjeve Saltiel dhe Matallon nga Shkupi, të cilët jetonin në ilegalitet në Tiranë. Pasi përshkruhet me detaje se si Sallamon Saltiel mbijetonte duke u marrë me tregti të vogël dhe këmbim të liretave italiane, dokumenti zbulon se arrestimi i tyre nuk erdhi nga ndonjë operacion inteligjence gjermane, por nga denoncimi i një vajze të quajtur Ksantipa Stavro. Për të shpëtuar të dashurin e saj komunist të arrestuar, ajo bëri një lojë të dyfishtë të ethshme, duke i denoncuar hebrenjtë njëkohësisht në katër komanda të ndryshme. Kur policia shqiptare mbërriti në banesë më 16 prill, gjeti “Policin Gjermane të Komandës SS në veprim e siper”. Hebrenjtë ishin ndaluar dhe grumbulluar në një qoshe të oborrit. Gjatë kontrollit personal, Sallamon Saltielit iu gjet një shumë e konsiderueshme parash: 10.300 Franga Shqiptare dhe 11.000 Lireta Italiane. Dokumenti sqaron se këto para ishin jetike për mbijetesën dhe aktivitetin e tyre, por ato përfunduan menjëherë në duart e pushtuesit: “Të hollat në fajlë u sekuestruen nga Policija Gjermane, mbasti veprimi ishte fillue nga ata.”
Pa asnjë mjet financiar të mbetur për të negociuar apo për të paguar një “gjobë” lirimi si grupi i Shkodrës, fati i këtyre gjashtë personave u vulos mizorisht. Policia Gjermane i mori me vete dhe, siç shkruhet në raport: “nga ana e Policis Gjermane të shoqnuem janë dergue nga ana e Strugës e Bitoljes (Manastirit) me drejtim të pa ditun” — një eufemizëm zyrtar për dërgimin e tyre të menjëhershëm drejt kampeve naziste të shfarosjes.
Ironia e Ngurtësisë Zyrtare
Dokumenti i Tiranës nxjerr në dritë edhe një tjetër detaj ironik dhe të dhimbshëm. Në mesin e këtij kaosi, përmendet Nënprefekti i Kavajës, Mehmet Gani, i cili u kishte lëshuar hebrenjve letra indinjiteti (karta identiteti) false në emra myslimanë si “Sali Isa Saltiel” apo “Sami Isa Saltiel”, duke i paraqitur si vendas nga Ferizaj për t’i fshehur nga syri i gjermanëve. Mirëpo, aparati shtetëror i kohës nuk e shihte këtë si një akt humanizmi që duhej txitej. Në mbyllje të raportit të tij, Drejtori i Policisë Tahir Kolgjini kërkon ndëshkimin e tij penal: “Prandaj lutemi që të bahen ndjekjet ligjorë kundër atij që ka guxue me lëshue letër indenjiteti pa ndonji bazë ligjore sidomos per shtetas të huej.”

Shkruan Aleksander Cangonji:

Written by: administratori

Rate it