Your dedications
Currently there are no new dedications

Sociale

NJERIU NË ÇDO ÇASTË:
I JEP BOTËS ATË QË KA BRËNDA VEHTES:

todayMay 26, 2026 22

Background
share close

Ka një të vërtetë të heshtur që shumë njerëz e kuptojnë vetëm pas zhgënjimeve, pas netëve pa gjumë dhe pas marrëdhënieve që i kanë lodhur emocionalisht:
Njeriu i trajton të tjerët ashtu siç e trajton veten.
Jo gjithmonë me vetëdije, jo gjithmonë me qëllim,
por mënyra si sillet me botën jashtë është pasqyra e botës që mban brenda vetes.
Shpesh thuhet se në mënyrën si një burrë trajton një grua, mund të kuptosh sa e do apo sa e vlerëson atë.
Por e vërteta është më e thellë se kaq.
Në mënyrën si ai sillet, flet, afrohet apo largohet,
ti nuk po shikon vetëm ndjenjat e tij për ty…
Po shikon marrëdhënien që ai ka me vetveten.
Po shikon sa paqe ka brenda, sa plagë fsheh, sa sinqeritet ka me shpirtin e tij dhe sa i aftë është të përballet me emocionet që mbart.
Një burrë që nuk e njeh veten, që nuk është ulur kurrë përballë frikërave të tij, që nuk ka reflektuar mbi gabimet dhe plagët që mban,
shpesh bëhet konfuz edhe në dashuri.
Ai dërgon sinjale të përziera.
Të afron dhe të largon.
Të jep shpresë dhe pastaj hesht.
Të bën të ndihesh e rëndësishme dhe më pas të lë të dyshosh për vlerën tënde.
Jo sepse gjithmonë është i keq, por sepse është i humbur brenda vetes.
Një njeri që nuk di çfarë kërkon nga vetja, nuk mund të dijë qartë çfarë kërkon nga një tjetër.
Ka burra që hyjnë në jetën e një gruaje vetëm për të mbushur boshllëqet e tyre.
Për të marrë vëmendje, ngrohtësi, siguri, ego,
trup apo arratisje nga vetmia.
Dhe kur marrin atë që u nevojitet, largohen emocionalisht,
sepse nuk kanë hyrë kurrë me shpirt të pastër.
Ata nuk ndërtojnë lidhje, përdorin afërsi për të mpirë dhimbjet e tyre.
E kjo nuk ka të bëjë me vlerën e gruas.
Ka të bëjë me kaosin që ai njeri ka brenda vetes.
Ndërsa një burrë që ka punuar me veten, që ka kaluar kohë duke kuptuar plagët, dobësitë dhe gabimet e tij,
sillet ndryshe.
Ai nuk ka nevojë të manipulojë për t’u ndjerë i rëndësishëm.
Nuk luan lojëra emocionale për të ushqyer egon.
Nuk premton gjëra që nuk i ndjen.
Dhe edhe nëse nuk dashurohet me ty, ai do të dijë të të respektojë.
Do të jetë i qartë.
I hapur.
I sinqertë.
Nuk do të të mbajë pranë vetëm për rehati emocionale apo fizike,
ndërkohë që zemra e tij është diku tjetër.
Një burrë që respekton veten nuk e përdor një grua për të mbushur zbrazëtinë e tij.
Sepse ai e di që çdo mashtrim ndaj tjetrit është, në thelb, mashtrim ndaj vetes.
Një njeri që jeton në paqe me ndërgjegjen e tij nuk mund të gjejë qetësi duke lënduar dikë tjetër.
Ai e kupton që karakteri nuk matet nga mënyra si sillesh kur je i dashuruar,
por nga mënyra si sillesh kur nuk je më i sigurt për ndjenjat e tua.
Ka një ndryshim të madh mes një burri që kërkon dashuri dhe një burri që kërkon shpëtim nga vetmia.
I pari ndërton.
I dyti konsumon.
I pari afrohet me përgjegjësi emocionale.
I dyti afrohet me nevojë.
Dhe njerëzit që afrohen vetëm nga nevoja, shpesh largohen sapo boshllëku i tyre mbushet përkohësisht.
Prandaj nuk duhet marrë çdo gjë personale. Shpesh mënyra si dikush të trajton nuk është pasqyrë e vlerës tënde,
por e gjendjes së tij të brendshme.
Një njeri i pasigurt do të shpërndajë pasiguri.
Një njeri i thyer do të lëndojë pa e kuptuar.
Një njeri që urren veten do ta ketë të vështirë të japë dashuri të pastër.
Dhe një njeri që nuk është i sinqertë me veten,
nuk mund të jetë plotësisht i sinqertë me askënd tjetër.
Nuk është rastësi që thuhet se një burrë e tregon vlerën e tij edhe nga mënyra si zgjedh gruan pranë vetes.
Sepse zgjedhjet tona emocionale tregojnë nivelin e vetëdijes sonë.
Një burrë i pjekur emocionalisht nuk kërkon thjesht bukuri apo krenari për t’ua treguar të tjerëve.
Ai kërkon paqe, karakter, mirësi,
inteligjencë emocionale dhe një shpirt ku mund të mbështetet pa frikë.
Sepse ai vetë ka arritur një pikë ku nuk ka më nevojë për lojëra apo iluzione.
Ka burra të mrekullueshëm që e vërtetojnë këtë çdo ditë.
Burra që dinë të jenë të fortë pa qenë të ashpër.
Të ndershëm pa qenë brutalë.
Të dashur pa qenë manipulues.
Burra që nuk e matin forcën duke kontrolluar dikë,
por duke kontrolluar veten.
Dhe pranë këtyre burrave,
një grua nuk ndihet e hutuar apo e pasigurt.
Ndihet e respektuar.
E qetë.
E parë si njeri dhe jo si mjet për të mbushur boshllëqet e dikujt.
Çdo marrëdhënie është një pasqyrë.
Dhe mënyra si dikush të trajton, shpesh tregon më shumë për botën që ai mban brenda vetes sesa për ty.
Prandaj para se të pyesësh “pse më trajtoi kështu?”,
Mdoshta pyetja e vërtetë është:
“Çfarë marrëdhënie kishte ai me vetveten?”
Sepse një njeri që nuk arrin të jetë i vërtetë me shpirtin e tij,
vështirë se mund të jetë plotësisht i vërtetë me zemrën e dikujt tjetër.

Përgatiti:
Koja Leonard:

Written by: administratori

Rate it