Your dedications
Currently there are no new dedications

Sociale

GJYQI PUBLIK I NJË 16-VJEÇARI — GJERGJ HANI DHE GJYQTARI KRIMINEL SPARTAK BRAHO

todayNovember 13, 2026 17

Background
share close

Më 12 nëntor 2026, në moshën 57-vjeçare, ndërroi jetë Gjergj Hani. Tridhjetë e gjashtë vjet pas vitit 1990, viktima e diktaturës u largua nga kjo jetë, ndërsa historia e gjyqit të tij mbetet një plagë e hapur.

Në vitin 1985, Gjergj Hani ishte vetëm 16 vjeç kur tentoi të arratisej nga Shqipëria. U kap, u arrestua dhe u vu në bankën e të akuzuarve. Gjyqi u bë publik, para nxënësve dhe mësuesve të shkollës ku ai kishte studiuar. Hani dëshmoi se në seancë ishin ftuar drejtues shkollash, trupi pedagogjik i gjimnazit “Naim Frashëri” dhe organizata e rinisë së shkollës. Një fëmijë u nxor para bashkëmoshatarëve të tij si “armik i popullit”.

Kryetar i trupit gjykues ishte gjyqtari kriminel Spartak Braho. Sipas dëshmisë së Hanit, ai u dënua me 10 vjet heqje lirie; për shkak se ishte i mitur, dënimi iu përgjysmua në pesë vjet. Gjergj Hani e vuajti burgimin në Qafë-Bari.

Mendoni për atë skenë: nxënësit përballë një bashkëmoshatari të tyre, jo në bankat e shkollës, por para gjyqit. Gjergji ishte fëmijë. Përballë tij qëndronte një pushtet që kishte gjykatën, prokurorinë dhe burgun. Ai kishte vetëm dëshirën për të ikur nga një vend që ia kishte mbyllur rrugën e lirisë.

Sot Gjergj Hani nuk jeton më. Ai u largua pa parë llogaridhënie për dënimin që mori kur ishte 16 vjeç. Viktima ndërroi jetë, ndërsa gjyqtarit kriminel Spartak Braho, siç thotë populli, nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë.

Gjergj Hani u shua. Dëshmia e tij mbetet. Dhe pyetja mbetet: kur do të flasim hapur për gjyqtarët që dënuan fëmijë në emër të diktaturës?

Kujtim.Cekani

Written by: Daors Media

Rate it