Your dedications
Currently there are no new dedications

Aktualitet

Kur prifti fut Zotin në politikë: Dom Nikson Shabani i del në krah kryebashkiakut Kristian Shkreli

todayNovember 13, 2026 10

Background
share close

“Jemi me ty në lutjet tona!” Me këto fjalë, Dom Nikson Shabani, meshtar i Katedrales së Prizrenit, i del publikisht në krah kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli. Në letrën drejtuar kryebashkiakut, ai përmend mikpritjen që ka marrë nga Shkreli dhe bashkia, vlerëson punën e tij në detyrë dhe i uron forcë e urti në emër të Zotit. Kur një prift e lidh lutjen me një vlerësim publik për punën e një njeriu me pushtet, ai e përzien autoritetin e Kishës me politikën.

Kush flet përmes atij “jemi me ty”? Dom Niksoni mund të flasë në emrin e vet dhe të shprehë miqësinë e tij me Shkrelin. Por besimtarët e Vaut të Dejës kanë mendimet e tyre për mënyrën si drejtohet bashkia. Disa e mbështesin kryetarin, të tjerë e kritikojnë dhe i kërkojnë llogari. Të gjithë kanë të njëjtën të drejtë ta bëjnë këtë pa iu vënë përballë autoriteti i priftit apo emri i Zotit. Kur meshtari ia vë peshën e petkut të tij mbështetjes për një kryebashkiak, vetë meshtari e fut Kishën në debatin politik.

Më poshtë po përcjellim të plotë deklaratën e Dom Nikson Shabanit.

“Jemi me ty në lutjet tona!”
Meshtari i Katedrales së Prizrenit, Dom Nikson Shabani, mesazh mbështetjeje për kryebashkiakun Kristian Shkreli

“I dashun Kristian,
 Në këto momente, dëshiroj me ta përcjellë nji mendim miqësor dhe nji fjalë inkurajimi. Jemi me ty në lutjet dhe mendimet tona, tue të urue forcë, urti, qetësi dhe qëndrueshmëni për me e përballue këtë periudhë.

E kam vlerësue gjithmonë komunikimin, respektin dhe marrëdhënien njerëzore që kemi ndërtue ndër vite, si dhe mikpritjen dhe vlerësimin që ma ke tregue, së bashku me Bashkinë e Vaut të Dejës.

Mos harro se ke shumë njerëz që të vlerësojnë dhe të mbështesin në rrugëtimin tand njerëzor dhe në punën që ke ba në shërbim të komunitetit. Çdo situatë në jetë kërkon maturi, besim dhe forcë për me ecë përpara. Të uroj me e përballue këtë periudhë me qetësi, urti dhe dinjitet, tue e ruejtë besimin dhe shpresën.

Si meshtar, por edhe si njeri që e njeh nga afër përgjegjësinë e shërbimit ndaj të tjerëve, e di se kjo rrugë nuk asht gjithmonë e lehtë. Shërbimi ndaj njerëzve kërkon përkushtim, durim dhe sakrificë, ndërsa përgjegjësitë publike shpesh shoqnohen edhe me sfida, keqkuptime dhe vështirësi.

Besoj se respekti, miqësia dhe lutja janë vlera që nuk duhet të varen nga rrethanat e momentit.

Të uroj shëndet, forcë dhe paqe shpirtënore. Zoti të ndriçoftë, të udhëheqtë dhe të dhashtë urtinë e nevojshme në çdo hap!

Miqësia, respekti dhe lutja nuk duhet të mungojnë pikërisht në momentet e vështira.

Zoti të ndriçoftë dhe të dhashtë forcë!”

Written by: Daors Media

Rate it