Your dedications
Currently there are no new dedications

Art/Kulturë

Në pupëlitjen e qepallave të tua:Ëndrrat dhe shpirti kalojnë në orgazëm:

todayNovember 10, 2026 5

Background
share close

Ka çaste në jetë kur ndjenja nuk flet me fjalë, por me dridhje, me frymëmarrje të ngadaltë dhe me një lëvizje të papritur të trupit.
Në ato çaste, fjala humbet peshë dhe e vetmja gjuhë që mbetet është ajo e prekjes.
Është një gjuhë që lind në thellësi, aty ku shpirti kërkon ta ndjejë tjetrin jo përmes mendimit, por përmes lëkurës.
Dashuria, kur kthehet në pasion, bëhet poezi e trupit.
Ajo s’ka më nevojë për përkufizime, sepse çdo frymë, çdo rrahje zemre, çdo dridhje e qepallës, e rrëfen më bukur se çdo fjali.
Është një art që lind nga përmbajtja dhe shpërthen në çlirim.
Nga frika për t’u zhveshur shpirti, deri te dëshira për t’u humbur në tërësinë e tjetrit, ndjenja kalon në një fazë të dytë: Erosin.
Erosi nuk është thjesht epsh;
Është një urë që lidh shpirtin me mishin.
Ai është përpëlitje e thellë, është frymë që kërkon të pushtojë frymën tjetër, por pa e asgjësuar.
Është dëshirë që digjet në sytë e tjetrit, ndjenjë që vlon në heshtje dhe shpërthen në një përqafim që s’ka më fillim e fund.
Në atë çast, gjithçka tjetër pushon së ekzistuari koha, frika, mendimi, morali sepse njeriu kthehet në formën e tij më primitive e më hyjnore njëherësh.
Kur dy shpirtra takohen në këtë mënyrë, gjithçka tjetër është e tepërt. Bota përjashtohet, tingujt humbasin, dhe mbetet vetëm fryma ajo që vjen e përzihet mes buzëve, që kërkon, që lutet, që gjen.
Trupi bëhet letër dhe gishti bëhet penë;
Çdo prekje është një varg, çdo frymë është një rimë, dhe çdo përqafim është një poezi e plotë.
E megjithatë, ka një mister të dhimbshëm në këtë lloj dashurie.
Sepse pasioni është gjithmonë i përkohshëm.
Ai nuk zgjat përjetë por lë pas një shenjë që nuk shlyhet.
Si një aromë që mbetet në lëkurë edhe pasi personi ka ikur.
Si një kujtim që ndez natën edhe kur vitet kanë kaluar.
E kështu, dashuria e vërtetë ndoshta nuk është ajo që zgjat më shumë, por ajo që digjet më thellë.
Ajo që të bën të ndjesh çdo centimetër të shpirtit tënd.
Ajo që të bën të kujtosh se je i gjallë, jo sepse frymon, por sepse ndien.
Dhe në fund, kur çdo gjë shuhet, mbetet vetëm një heshtje që mban brenda saj një univers emocionesh heshtja e trupit pas përqafimit, ajo që nuk e thyen as fjala, as koha.
Sepse dashuria e vërtetë nuk ka fjalë.
Ajo është dridhje, frymë, zë i ulët që del nga thellësia e qënies.
Dhe çdo herë që e kujton, ndjen se diku në brendësi, ajo ende jeton si një zjarr që s’shuhet kurrë, si një përkëdhelje që lë shenjë përjetësisht.

Ka dashuri që nuk lindin si ndjesi, por si shpërthime.
Si kataklizma të brendshme që përmbysin gjithçka, përveç asaj që na kujton një emër, një frymëmarrje, dy sy që i mbajnë brenda universet e ndalura të shpirtit tonë.
E për dashurinë tënde, po, do t’i bëja të gjitha.
Do të shembja kufijtë e reales, do ta ktheja botën në poezi, e qiellin në një shtrat ëndrrash ku vetëm ti do të ndriçoje.
Ka një lloj marrëzie të bukur në dashuri ajo që të bën të sfidosh yjet, të vjedhësh dritën e hënës, e t’ia vendosësh mbi flokë njeriut që dashuron.
Dhe unë, për ty, do t’ia merrja universit çdo dritë, vetëm që sytë e tu të mos lëndoheshin nga asgjë.
Do t’i shterja lotët e kristaltë që fshehin brenda trishtime të vogla, dhe do t’i ktheja në margaritarë për të stolisur vetë mëngjesin.
Nëse mëngjesi do të kishte një kuptim, ai do të ishe ti.
Unë do të bëhesha agim, fllad që të përkëdhel, dritë që përhap aromën e shpirtit tënd.
Do të ulesha në dritaren e botës sate, e do të të shikoja në sy, si njeriu që më në fund ka gjetur prehjen e vetmes që kërkonte prej mijëra netësh.
Në çdo frymë do të jetoja një përkëdhelje, në çdo fjalë një lutje.
Për dashurinë tënde, edhe diellin do ta mbuloja me duar.
Jo për t’ia mohuar botës dritën, por për ta ruajtur vetëm për ty.
Të shndrisje vetëm ti mbi tokë, që çdo rreze të ishte një kujtim i bukur i prekjes sate.
Nën këmbët e tua do të shtroja retë e bardha, për të fshehur gjurmët që askush tjetër të mos i ndjekë sepse dashuria e vërtetë është një sekret, një shteg që e dinë vetëm dy zemra.
Nata do të më gjente në heshtje, duke vjedhur yje.
Do t’i rrëmbeja, si një pirat në detet e dashurisë, për të zbukuruar dhomën tënde me dritë ëndrrash.
Do të hyja ngadalë, lehtë, si fryma e një premtimi, dhe do të të mbuloja me tis të hënës, për të fjetur e qetë, e mbrojtur nga çdo plagë që s’e meriton as kujtimin tënd.
E kur mëngjesi të vinte përsëri, unë do të isha sërish rrugëve të botës, duke të kërkuar në çdo aromë, në çdo melodi, në çdo valë që fërshëllen nën diell.
Do të endesha nëpër oqeane e dete, jo për t’u arratisur, por për të sjellë në gji gjithë thellësitë e botës vetëm për ty.
Do të trokisja lehtë në portën e zemrës sate, me duar që dridhen nga mallëngjimi, me zë që pëshpërit pa fjalë:
“Jam unë, dashuria jote.”
E çdo fjalë, çdo frymë, çdo hap që kam bërë në këtë jetë do të shkrinte në një të vetme: Dashuri.
Dashuri që nuk kërkon zotërim, por përkushtim.
Dashuri që nuk flet me fjalë, por me praninë.
Dashuri që nuk pyet për largësinë, por qëndron në çdo ndjenjë që s’vdes kurrë, në çdo prekje që vazhdon të digjet edhe kur duart janë bosh.
Në fund, gjithçka që do të mbetej do të ishte kjo:
Një shpirt që endet, një zemër që rreh, e një premtim që përsëritet si mantra nën frymën e universit:
“Për dashurinë tënde…
Çdo gjë, çdo herë, çdo jetë.

Përgatiti:
Koja Leonard:

Written by: Daors Media

Rate it