play_arrow
Daors Radio
Korça Bibjana:
A do të më duash nesër,
kur koha të ketë kaluar
gishtat e saj mbi flokët e mi
dhe argjendi të mos jetë më stoli,
por dëshmi e një drite të jetuar?
Kur fytyra ime të mos e njohë më
stinën e pranverës
dhe pasqyrës t’i duhet të mësojë
një tjetër emër për bukurinë?
Tregomë.
A do të më duash nesër,
kur sytë të mos e mbajnë më largësinë,
kur duart të mos kenë të njëjtën siguri
për të prekur gjërat që dua?
Kur fjalët të më vijnë të paplota,
kur fjalia të humbasë udhën
përpara se të mbërrijë te ti,
a do të dish ta dëgjosh atë
që nuk arrij dot ta them?
Tregomë.
A do të më duash edhe atëherë,
kur kujtesa të fillojë të heqë një nga një
emrat e gjërave dhe, mes gjithë atyre humbjeve, të mos e gjej më as emrin tënd?
A do të ma thuash përsëri,
pa më kërkuar të të kujtoj,
se dikur ishim dy njerëz që i dhanë njëri-tjetrit
një arsye për të qenë më shumë se vetja?
Tregomë.
Dhe kur një ditë prania ime
të mos zërë më vend në dhomë,
kur karrigia të mbetet
me formën e mungesës sime,
a do të ketë ende diçka timen
që do të të ndalë në mes të ditës?
Nuk të pyes sa gjatë do të më kujtosh.
As sa herë do të të marrë malli.
Dua të di vetëm këtë:
Kur të mos jem më as zë,
as prekje, as emër, a do të më duash
në atë pjesë tënden ku koha nuk ka hyrje?
Tregomë.
Written by: Daors Media
Copyright Daors Media - Developed by Bledi Orhani