Your dedications
Currently there are no new dedications

Art/Kulturë

DAJA I LUFTËS DHE DREJTORI I PAQES.

todayNovember 1, 2026 4

Background
share close

Më ndodhi si atëhere. Si para 40 vitesh dmth. Dorëzova një vëllim me poezi në Tiranë dhe pas tre muajsh asnjë përgjigje. Kur në Korçë pashë te hotel turizmi redaktorin e shtëpisë botuese vrapova ta pyesja.
-Na jep një drekë si fillim, -më tha.
Pranova nga që doja të dija fatin e librit. Kisha aq emocion e ngazëllim sa i futa krahun e drejt te restoranti. Sa u ulëm në tavolinë në çast na u fanepsën para tre burra.
-Janë me mua,-tha redaktori e m’i prezantoi.-Ky i shëndoshi është shoferi ynë, ky majtas Nuriu, korrektori letrar dhe ky tjetri Bilbili, poet nga Pogradeci.
Erdhi kamarieri e dhanë porosinë të katër llupësit. Edhe unë. Po fat që ato vite në restorante kishte veç supë, ndonjë makaron dhe sallatë me turshi. Hëngrën si të babëzitur dhe pinë verë molle, nga ajo që bënte fabrika e konservave në Korçë. Të dhimbte koka dy javë. Pasi u trullosën pak redaktorit iu zgjidh gjuha.
-Ke poezi perla,-më tha.
U ngrefosa si gjel. Pas vëllimit po më marrin me punë në Tiranë, u gëzova.
-Por…
Kruajti zërin dhe vazhdoi:
-Por nuk do të botohet vëllimi se kemi marrë një letër anonime nga fshati ku punon si mësues që një daja yt nuk ka mbajtur qëndrim pro luftës nacional-çlirimtare.
M’u tha gjuha. Ta cytja më tej kisha frikë se mos e merrnin vesh krejt Korça. Ndaj ndërrova bisedë. Flisja për motin, për borën dhe përfundova te dhelprat që kapnin nxënësit e mij me leqe. Ata ikën e unë jo që s’pyeta më për vëllimin, por nuk shkrojta gjithë ato vite asnjë varg.
Por ja që bota qenka me rrota. Sa thashë parvjet në fb që do të botoj një libër me tregime m’u afruan plot shtëpi botuese. Me oferta bujare që më bënë të ndjehem si maçok duke lëpirë mustaqet pas një tasi me qumësht. Dhe vendosa t’ja çoj një shokut tim, nga që dhe ai nuk m’u nda për mbi 2 vjet. Ia paraqita të faqosur, të redaktuar, të korrektuar, me kopertinë gati dhe u përlotëm të dy.
-Sa nder më ke bërë, -tha.
-Nder më bëre ti, -ia ktheva.
M’u duk vetja si ai çifti i sapo dashuruar që dialogojnë në cel:
-Mbylle ti i pari!
-Jo, jo, mbylle ti!
E kështu, kështu na vajti mbroth çdo gjë. Por deri sot. Deri para një ore. Nga që shoku nuk më mori në telefon, por më bëri sms.
-I dashur, fola me drejtorin e shtëpisë botuese, (ai më thosh shpesh me mburrje që drejtor është vetë) dhe nuk ta botojmë dot vëllimin. Se ti kritikon shpesh qeverinë dhe ne na prish punë nga që marrim plot financime nga qeveria.”
Në fakt dhe më qeshej dhe më bërtitej. Më erdhi ndër mend daja që nuk e deshte luftën nacional-çlirimtare dhe shoku sot që fjalën dajë ma aktualizoi. Më quajti mua njeri që i prishkam punë me qeverinë. Thashë ta merrja në telefon, por më mirë t’i bëj dhe unë sms, vendosa. E i shkruajta: “Shok, shko pirdhu ti me gjithë grandet e qeverisë tënde! Librin do e botoj, madje do të shes një kopje më shumë, nga që ty nuk do të ta fal”.
Doja në fund t’i shtoja fjalën “tung”, por nga që më kishte kërcyer damari e lashë. Se me siguri do e shkruaja, “trung”.

Agim Xhafka:

Written by: Daors Media

Rate it