Your dedications
Currently there are no new dedications

Ekonomi

Ulja e TVSH-së për ushqimet nuk do t’i ulë çmimet sepse….

todayOctober 29, 2026 7

Background
share close

Gjergj Erebara:

Inflacioni është fenomen monetar

Në vitin 1966, Milton Friedman shkroi disa rreshta të paharrueshme që kanë hyrë në gjuhën e ekonomiksit dhe nuk janë shkulur ende prej tij, pavarësisht se sistemi monetarist, që ai krijoi, konsiderohet prej vitesh tashmë si një problem i madh për njerëzimin, për shkak të pabarazisë që ka krijuar, pabarazi që ka arritur deri në atë nivel sa shkakton trazira të konsiderueshme shoqërore për vendet demokratike.
Friedman shkroi: “Inflacioni është gjithmonë dhe kudo një fenomen monetar. Ai shkaktohet nga rritja e sasisë së parasë në raport me prodhimin… Prej këtu dalim në konkluzionin që e vetmja mënyrë për të ndaluar inflacionin është që të ngadalësojmë rritmin e rritjes së sasisë së parasë.”
Friedman pati arritur në këtë konkluzion pas shumë vitesh studimi të periudhës së hiperinflacionit në Gjermaninë e Republikës së Vejmarit, krizë që në instancë finale, solli ngritjen e Adolf Hitlerit në pushtet, Holokaustin dhe Luftën e Dytë Botërore.
E pra, pothuajse gjashtë dekada që kur u themelua monetarizmi, sistemi ekonomik që urdhëron kontrollin e inflacionit përmes kontrollit të parasë në qarkullim, në Shqipërinë tonë që ka njohur inflacion si fenomen monetar, por jo monetarizëm si politikë ekonomike, ende ka që mendojnë se janë kostot ato që përcaktojnë çmimet dhe se, ulja e kostove sjell ulje çmimesh, siç ishte premtimi i Edi Ramës për të ulur TVSH-në për ushqimet nga 20 në 6%.
Hiperinflacioni i shpjeguar nga Friedman është një fenomen i rrallë në botë. Dhe Shqipëria nuk gjendet sot në hiperinflacion. As dhjetëfishimi i çmimeve përgjatë vitit 1992, kur injoranca institucionale e bijve të komunizmit importoi një formulë të gatshme nga Polonia dhe shkaktoi një tragjedi të vogël e të panevojshme në Shqipëri, nuk mund të klasifikohet si hiperinflacion.
Në fakt, rasti i fundit i hiperinflacionit në Shqipëri mund të konsiderohet Lufta e Dytë Botërore, periudhë gjatë së cilës, një monedhë ari 20 frangëshe kushtonte 20 franga ar më 1939 dhe së paku 600 franga letër në vitin 1945.
Edi Rama pranoi së fundmi se inflacioni në Shqipëri është bërë një shqetësim serioz për individët dhe familjet. Ky pranim është paksa i çuditshëm, nëse marrim parasysh se inflacioni i matur zyrtarisht nga INSTAT, ndonëse më i lartë se sa në vitet e shkuara, nuk shfaqet në ndonjë nivel aq të lartë sa të konsiderohet shqetësim. Kjo sugjeron gjithashtu se INSTAT duket se e mat paksa gabim inflacionin, (shifra e fundit, 2.9%, nuk konsiderohet inflacion veçanërisht i lartë).
E pra, pyetja është se çfarë e ka shkaktuar këtë inflacion kaq të lartë dhe përgjigjja gjendet te të dhënat e Bankës së Shqipërisë për paranë në qarkullim. Paraja në qarkullim është rritur me 17% në muajin gusht të këtij viti në krahasim me muajin gusht të vitit 2025. Përkundër kësaj, Prodhimi i Brendshëm Bruto, apo sasia e mallit në qarkullim, në terma realë, është rritur me 3.4%. Diferenca mes këtyre dy shifrave nuk ka se çfarë të jetë tjetër veçse inflacion.
Arsyeja se pse paraja në qarkullim është rritur me 17% lidhet me blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë për të shmangur forcimin e mëtejshëm të lekut. Banka po blen euro, dhe po i paguan eurot që po blen me lekë. Lekët po i merr nga “fabrika” e parasë, pra po bën emision monetar. Kjo po shkakton inflacionin që po shqetëson familjet, dhe Edi Ramën.
Siç thotë xhaxha Friedman, inflacioni shkaktohet nga rritja më e shpejtë e parasë në qarkullin në raport me prodhimin. Dhe e vetmja mënyrë për të ndaluar inflacionin është të ndalosh rritjen e parasë në qarkullim.
Manovrat me taksat, ulja e TVSH-së për ushqimet dhe rritja e TVSH-së për mallrat e tjera, nuk ndryshon sasinë e parasë në qarkullim dhe rrjedhimisht, nuk ndikon në inflacion. Pasi ndryshimet te ligji i TVSH-së të hyjnë në fuqi, sasia e parave në qarkullim do të jetë njësoj si para ndryshimeve dhe sasia e mallrave që këto para mund të blejnë, do të jetë gjithashtu njësoj.

Written by: Daors Media

Rate it