Your dedications
Currently there are no new dedications

Sociale

Monument do t’i ngre bythës:

todayOctober 25, 2026 13

Background
share close

Ka një lloj ndershmërie brutale në trupin e njeriut që shoqëria e fton ta fshehë.
Një pjesë anatomike, që për mijëra vjet ka qenë burim turpi, por në thelb është simboli më i thellë i forcës, durimit dhe guximit njerëzor.
Në një botë që flet me zë të ulët për ndershmërinë dhe bërtet me krenari për hipokrizinë:
Unë në mungesë të dalldisë për të gdhendur mermer do të ngre një monument për bythën.
Po, për atë pjesë që shoqëria e trajton si vulgare, por që në të vërtetë mban mbi vete gjithë peshën e moralit që ne nuk guxojmë ta themi me zë.
Në çdo epokë, njerëzit kanë ngritur monumente për mbretër, shenjtorë, luftëtarë e poetë.
Kanë ngritur për koka që kanë menduar, për duar që kanë krijuar, për buzë që kanë folur.
Por askush s’ka menduar të ngrejë një monument për atë që duron më shumë:
Për themelin e trupit, për bazën e qëndrimit, për qetësinë e forcës.
Bytha është vendi i durimit. Është pika ku njeriu ulet për të menduar, për të pritur, për të shpresuar, për të mësuar.
E megjithatë, ajo është përjashtuar nga lavdia e artit, sikur dinjiteti fillon vetëm mbi brez.
Në një botë hipokrite, ku secili maskon frikën me fjalë të bukura, duhet bythë për të qenë i sinqertë.
Duhet bythë për të mos u përkulur për një karrige.
Duhet bythë për të mos u ulur aty ku duhet të qëndrosh në këmbë.
Duhet bythë për të mos ndërruar qëndrimin sipas erës, e për të mos bërë moral për të tjerët ndërsa vetë noton në ujërat e turpit.
Të thuash të vërtetën kërkon guxim, por të qëndrosh në të, kërkon bythë.
Të përballesh me pushtetin kërkon zë, por të mos dorëzohesh kërkon bythë.
Të duash kërkon zemër, por të durosh dashurinë kur dhemb, kërkon bythë.
Ne jetojmë në një shoqëri që adhuron fytyrat dhe urren themelin.
Që glorifikon imazhin, por harron që çdo qëndrim ka një bazë që s’e sheh askush.
Prandaj, sa më shumë fytyra shfaqen, aq më pak bythë ka.
Ka shumë gojë që flasin, pak bythë që mbajnë.
Ka shumë moralistë pa karakter, shumë predikues pa shtyllë, shumë shkrimtarë që shkruajnë për bukuri, por jo për të vërtetën.
Dhe këtu nis gjithë ironia e kësaj bote:
Njerëzit që duan të duken të pastër janë zakonisht më të ndoturit në brendësi, dhe ata që flasin për dinjitet janë më të gatshmit ta shesin për një privilegj të vogël.
Bytha, në këtë kuptim, nuk është më pjesë e trupit, por metaforë morale.
Është simbol i qëndrueshmërisë, i përballjes, i forcës për të mos u përkulur.
Të kesh bythë do të thotë të kesh themel të mos shembesh kur fryn era.
Të kesh bythë në jetë është më e vështirë se të kesh mendje, sepse mendjet prishen nga lavdia, ndërsa bythët durojnë peshën e saj.
Mjafton të shohësh rreth e rrotull:
Në politikë, bytha është bërë një mjet për të zënë karrige, jo për të përballuar përgjegjësi.
Në media, bytha shërben për t’u ulur para pronarit e për të heshtur për të vërtetën.
Në art, bytha është turp kur është e ndershme dhe virtyt kur është e shitshme.
Në shoqëri, njerëzit gjykohen për trupin, jo për guximin.
Dhe guximi, në fund, është ajo që mungon më shumë.
Por le ta themi pa hipokrizi:
Do bythë që të mos puthësh bythën e tjetrit.
Do bythë të refuzosh një privilegj të padrejtë.
Do bythë të mos e kthesh jetën në treg ku ndërrohen ndershmëria me karrierën.
Do bythë të mos jesh palë me turpin e ditës.
Dhe mbi të gjitha, do bythë të mos e urresh veten.
Njerëzit mendojnë se dinjiteti qëndron në kokë.
E vërteta është se dinjiteti qëndron në mënyrën si ulesh.
Nëse ulesh drejt, pa servilizëm, pa përkulje, atëherë dinjiteti yt është i plotë.
Por nëse e ul veten para të tjerëve, sado të bukur ta kesh fjalën, fytyrën apo mendimin, gjithçka tjetër është fasadë.
Në këtë kuptim, monumenti që do të ngre s’është për trupin, por për shpirtin.
Për shpirtin që duron.
Për shpirtin që nuk frikësohet të rrijë drejt, edhe kur gjithë bota përkulej.
Monumenti për bythën është monument për rezistencën njerëzore, për karakterin, për njeriun që nuk shembet, për atë që qëndron.
Nëse trupi i njeriut do të ishte shtëpi, bytha do të ishte themeli dhe koka çatia.
Pa bythë, shtëpia s’ka ku qëndron.
Pa themel, çdo frymë e dobët e shemb.
Dhe ndoshta, për këtë arsye, shoqëria jonë është aq e brishtë:
Sepse është ndërtuar mbi imazhe, jo mbi themel.
Sepse kërkon duar që shtrihen për lëmoshë, jo shpinë që përballon peshën e drejtësisë.
Monumenti im do të ishte i thjeshtë pa lavdi, pa fjalë të gdhendura, pa mermer të bardhë.
Do të ishte një monument i njeriut që duron.
Një simbol i asaj që mban, e jo i asaj që duket.
Sepse bota jonë, përveç trurit dhe zemrës, ka harruar të nderojë pjesën që i mban të dyja.
Bytha është sintezë e jetës:
Ajo ulet, pret, duron, dhe përsëri ngrihet.
Nëse do të kërkonim një simbol të dinjitetit njerëzor, do ta gjenim pikërisht aty ku bota ndalet së menduari në themel.
Prandaj, unë do t’i ngre monument bythës, sepse ajo është metafora më e bukur e njeriut që nuk përkulet, nuk dorëzohet dhe nuk shembet.
Në fund të fundit:
Historia nuk mbahet nga ata që kanë fytyra të bukura, por nga ata që kanë bythë të fortë për të përballuar të vërtetën.

Përgatiti:
Koja Leonard:

Written by: Daors Media

Rate it