Your dedications
Currently there are no new dedications

Opinion

Ky regjim nuk u ngrit vetëm

todayOctober 21, 2026 13

Background
share close

Nga Hysni Gurra:

Edi Rama është sot njeriu më i urryer në Shqipëri. Por dikur, për gati 20 vjet, ka qenë njeriu “ndryshe”, “vizionari”, “artisti”, politikani kontrovers etj., etj.

Kjo ndodhi nga viti 1998 deri në vitin 2013. Rrallë mund të ketë një rast të ngjashëm në historinë: një njeri që, për 15 vjet me pushtet në duar, si ministër, kryetar bashkie dhe lider opozite, arriti të fshehë kaq mirë përmasat e ligësisë dhe të autokratisë së tij dhe falë kësaj kapi ekzekutivin. Post që të bën gjëmën.

Këtë nuk e arriti i vetëm.

Analistët më në zë të vendit e promovuan për vite me radhë në media si njeriun që i duhej Shqipërisë.

Artistë e intelektualë po ashtu. Merreni me mend: quanin idiot Fatos Nanon, një personazh që jepte dorëheqjen nga pushteti duke qeshur, ndërsa lëvdonin një njeri me formim të kufizuar dhe që konceptin e dorëheqjes sikur nuk e njihte fare.

Pas vitit 2013, Edi Rama e vuri median nën ndikimin e tij total, edhe pse ai kishte qenë ndoshta i vetmi politikan në Shqipëri që kishte pasur media në favor edhe kur qeveria ishte në kahun tjetër politik.

Bashkë me median, ndikoi edhe përmbajtjen e emisioneve të mbrëmjes, përmes drejtuesve të tyre dhe laroëve të penës.

Mori nën kontroll edhe “artistët”, ata që shihni sot sikur janë të revoltuar me të, i kanë shërbyer në mënyrë të gjithanshme instalimit të këtij regjimi. Është e pashembullt ajo që ka ndodhur.

Hyri në universitete, kapi rektoratet dhe dekanatet, bashkë me një pjesë të trupës akademike.

Mësuesit e gjimnazeve dhe të shkollave 9-vjeçare i ktheu në patronazhistë ordinerë.

Hyri edhe në futboll, duke përdhosur figurën e lojtarëve të Kombëtares.

Mori drejtësinë nën kontroll. Është ndër rastet më paradoksale të pushtetit: të mbash nën të njëjtën çati, nga njëra anë njerëzit e lidhur me krimin dhe, nga ana tjetër, ata që duhet të vendosin drejtësi për ta.

Është kryeministri që, për mendimin tim, e ka përdhosur më shumë figurën e gruas në politikën shqiptare.

Dhjetëra prej tyre janë sot pjesë e një afere korruptive milionëshe qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi, duke u kthyer në disa prej figurave më të urryera të shoqërisë.

Bëri për vete, si askush tjetër, edhe ndërkombëtarë, sikur të ishte duke blerë shërbime prostituash nëpër rrugët e Europës dhe Amerikës.

Pa llogarit që ktheu shërbimin sekret të shtetit në një sektor informativ të mafies dhe bandave kriminale.

Pra, si u bë ky njeri kështu?

E bëri edhe shoqëria. Një shoqëri konformiste me çdo pushtet. Një shoqëri që vjedhjen e quan arritje dhe mediokritetin e shet si intelektualizëm.

Sigurisht, një regjim nuk ndërtohet vetëm nga njeriu që e drejton. Ai ndërtohet edhe nga ata që e duartrokasin, nga ata që e justifikojnë, nga ata që i shërbejnë dhe nga ata që, për interesat e tyre, zgjedhin të heshtin.

Shqipëria do të jetë pa Edi Ramën shumë shpejt. Por pasojat e sistemit të tij Shqipëria do t’i vuajë së paku edhe aq vite sa u deshën për të arritur deri këtu.

Sepse largimi i një njeriu nga pushteti nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe shembja e sistemit që ai ka ndërtuar.

Ky regjim nuk u ngrit vetëm. Dhe nuk do të mjaftojë vetëm largimi i tij për ta rrëzuar.

Written by: Daors Media

Rate it