Your dedications
Currently there are no new dedications

Opinion

GARA E ÇMIMEVE NE KATUNDIN E LETRAVE

todayOctober 8, 2026

Background
share close

Është e çuditshme sesi inflacioni i çmimeve letrare, të shpërndara me shumicë në katundin tonë kulturor, po krijon një pështjellim që po të mos ishte për të qeshur, do të ishte për t’u shqetësuar. Çmime që lindin si kërpudhat pas shiut, konkurse të cilët shpallin “gjeni” dhe “gjeni” që pompojnë njëri-tjetrin, diploma, fletë-lavdërime, kurora dafinash prej letre, ndërsa vetë letërsia rri diku në qoshe, në pritje të një lexuesi që nuk po vjen.
Paralelisht, përkthimi dhe botimi në gjuhë të huaja paraqiten si dëshmi të një “suksesi ndërkombëtar”, sikur fakti që një libër ka kapërcyer kufirin gjuhësor të nënkuptojë automatikisht se ka kapërcyer edhe kufirin e rëndësisë letrare. Të krijohet ideja se jo vetëm anglezët, turqit, hollandezët, çekët dhe gjermanët po “çmenden” pas letërsisë se katundit tonë por dhe vetë banorët e katundit të Mançës në Spanjë e kanë lënë pas dore Servantesin. Lind pyetja, për kë shkruhet, kujt i flitet dhe kush po e çmon gjithë këtë lavdi letrare. Duam s’ duam, letersia shqipe ka gjithë-gjithe, vetëm nja dhjetë shkrimtarë e poetë bashkëkohorë të cilët duhen marrë seriozisht. Këtyre mund t’ u shtojmë edhe nja pesë shkrimtarë që kanë ndërruar jetë këto 20 vitet e fundit.
Ngutja pët t’ u shpallur i madh, i pëkthyer dhe trofembajtës, përmban një megalomani me përmasa të frikshme, një etje për t’u dukur e për t’u shpallur i madh, pa kaluar domosdoshmërisht nëpër provën më të vjetër dhe më të pamëshirshme të letërsisë, siç është koha.
Në këtë ngjitje marramendëse drejt majave të vetëshpallura të suksesit letrar, duket sikur harrohet një hollësi e vogël. Në fund të gjithë kësaj pune duhet të ekzistojë edhe dikush që ta lexojë.
Por gara mbetet pyetja më interesante. Gara me kë; me shkrimtarin që shkruan në heshtje; me lexuesin që nuk blen libra; me njëri-tjetrin, në një pistë ku secili mban në dorë medaljen e vet? Apo me frikën se në mungesë të lexuesve, emri i autorit zhduket më shpejt se libri i tij? Ndoshta kjo është arsyeja pse çmimet shtohen pikërisht atëherë kur vëmendja ndaj letërsisë sa vjen e bie dhe autori fillon të duartrokasë veten. Shkrimtarët e vërtetë nuk bëjnë zhurmë. Ata nuk miklohen nga fjalët e bukura dhe çmimet. Por katundit tonë kulturor i falet. Secili e ka Mançen e tij prej nga niset…

Marash Mirashi:

Written by: Daors Media

Rate it