Your dedications
Currently there are no new dedications

Opinion

Si Edi Rama i keqpërdor “kosovarët” për llogari të pushtetit të tij?!

todayNovember 10, 2026 8

Background
share close

Prof. Dr. Enver Bytyçi:

“Tashmë e kanë kuptuar edhe aleatët e Edi Ramës në Kosovë se me kryeministrin e Shqipërisë nuk ka besë”
Të gjithë e dimë historinë e emrimit si ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë të shqiptarit nga Kosova, Gent Cakaj. Kryeministri Edi Rama e emroi atë në krye të diplomacisë shqiptare. Presidenti Ilir Meta nuk e dekretoi. Më pas u ngarkua si ushtrues i detyrës përkatëse, ndërkohë që vetë Rama mbajti postin e ministrit të Jashtëm legjitim. U përsërit kështu koha e viteve të para të vendosjes së diktaturës në Shqipëri, kur Enver Hoxha ishte kryeministër e njëkohësisht ministër i jashtëm dhe ministër i Mbrojtjes. Argumenti i emrimit të Gent Cakës ishte “integrimi i përbashkët Shqipëri-Kosovë”! Në fakt qe thjesht një perde që shqiptarët të verbohen e të mos shihnin tradtinë e ndarjes së Kosovës, apo hilen e Open Balkan. E ndërkohë Rama donte që këtë ndarje, si dhe Open Balkanin, t’ia faturonte pikërisht një “kosovari” si shef i diplomacisë shqiptare.

Për të njëjtat arsye u morën si zevendës ministra në arsim e në kulturë dy “kosovarë” të tjerë, Besa Shahini dhe Hajrullah Çeku. Besa u ngrit madje në detyrën e ministres së Arsimit dhe Shkencës, por pasiqë partneri apo bashkëshorti i saj në Kosovë u largua nga Vetëvendosja dhe filloi ta sulmojë Albin Kurtin. Për të njëjtën arsye u mor dhe u bë drejtor i Portit të Durrësit Liburn Aliu. Gjithashtu për të njëjtën arsye Edi Rama mori si këshilltare të tij një ish-kandidate të Vetëvendosjes për deputete në Kuvendin e Kosovës.

Në dukje asnjë kryeministër tjetër i Shqipërisë nuk ka promovuar më shumë shqiptarë të Kosovës në qeveri, sesa e ka bërë këtë Edi Rama. Dhe është interesant fakti se pas Edi Ramës në këtë skemë më i njohuri është ish-diktatori, Enver Hoxha. Pas vendosjes së sundimit komunist në Shqipëri Hoxha përdori disa “kosovarë” si karem për “patriotizmin” e tij. Mori psh Ramadan Çitakun, Xhafer Spahinë e ndonjë tjetër dhe e promovoi në shenjë “simpatie” ose “respekti” për Kosovën.Në fakt edhe ai i keqpërdori. U dha detyra të parëndësishme në vendimmarrje. E ndërsa mori Ramadan Çitakun, ish – udhëheqësi komunist i shkruante Titos dhe i thoshte se pse ai po e vononte bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Kjo ka ndodhur në vitin 1947, sipas dokumentit të publikuar nga Luan Dode në librin e tij “Sundimi pa pushtim”!

Po çfarë ndodhi me të emruarit kosovarë të Edi Ramës në qeveri ose në administratën e lartë të Shqipërisë? Gent Cakaj u thirr një ditë në zyrën e kryeministrit Rama. Shefi i paraqiti vartësit të tij një copë letër që ta firmoste. Genti i hodhi një sy asaj letre dhe u zotua se do ta firmoste, por që letrën do ta merrte me vete në zyrë dhe pastaj të hidhte firmën mbi të. Edi e urdhëroi që t’ia kthente letrën e parë dhe ia zgjati të dytën. Në letrën e dytë ishte përgatitur teksti i dorëheqjes së Cakajt. Edi e urdhëron: – Ndërsa këtë të dytën do ta firmosësh tani! Genti e firmos dhe këtu mori fund karriera e tij. E keni dëgjuar të përmendet ndonjëherë njeriun, të cilin Batoni e prazantonte në TV-të e Tiranës si leximtarin dhe të riun më të ditur në shqiptari?! Jo! Një sqarim: – Jam bindur se lëvdatat e Batonit më shumë e lënduan sesa e lartësuan Gentin, sepse ata të dy nuk janë njësoj.

Të vijmë te raste të tjera. Hajrullah Çeku u tërhoq me lezet, kur ai pa se po përdorej prej Edi Ramës. Ndërsa Besa Shahinin padishahu e lëshoi si ushqim për gjuetarët e tij. Njerëzit e pushtetit e detyruan atë të jepte dorëheqjen e ta denigronin deri për dialektin e saj gegë. Çfarë nuk i thanë. E paaftë, e pa zonja etj. etj. Edi Rama as që u përpoq ta marrë në mbrojtje kavien e eksperimentit të vet. Bashkë me denigrimin e Besa Shahinit orkestra qeveritare e propagandës dhe e shpifjes u përpoq që të mbjellë dasi midis shqiptarëve të Jugut të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Ndërsa Liburn Aliu mësohet se ka dhënë dorëheqjen “në heshtje”! Nuk dihen arsyet e dorëheqjeve për asnjërin prej këtyre tre emrave që përmenda. Ato arsye janë enigmë.

Por një gjë dihet ama shumë mirë. Tashmë e kanë kuptuar edhe aleatët e Edi Ramës në Kosovë se me kryeministrin e Shqipërisë nuk ka besë. Shumë prej këtyre miqve të Edi Ramës në Kosovë i kanë besuar edhe Milan Radoiçiqit, por ama kanë kuptuar se nuk ka shans që t’i besohet Edi Ramës. Megjithatë do të gjenden gjithmonë një ose dy dilerantë nga Kosova apo nga Maqedonia e Veriut, të cilët do të kënaqen me keqpërdorimin e një kryeministri që nuk ka e nuk ka dëshmuar kurrë asnjë lloj parimi e kriteri tjetër, përveçse mashtrimit, intrigës dhe djallëzisë së vet.

Written by: Daors Media

Rate it