play_arrow
Daors Radio
-Kur arroganca e pushtetit, premtimet financiare dhe politika e përplasjes ndeshen me vullnetin e qytetarëve, demokracia mund të japë një përgjigje të papritur-
Amerikanët i dhanë Donald Trumpit një mësim të fortë politik. Në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit 2026, ata nuk iu dhanë republikanëve votën e kërkuar, pavarësisht premtimit të presidentit për t’u dhënë 5.000 dollarë çdo qytetari të rritur amerikan nëse republikanët ruanin kontrollin e Kongresit. Apo edhe shumë premtimeve të tjera që kishte bërë përpara amerikanëve, duke u thënë që do të ishin shumë të pasur dhe do të hanin me lugë floriri. Kundër ëndrrës së presidentit, demokratët fituan kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Fitorja e tyre shkoi shumë përtej parashikimeve dhe preku edhe shtete që deri dje konsideroheshin bastione të sigurta republikane. Kështu, në Kansas, ku demokratët nuk kishin fituar një vend në Senat prej gati një shekulli, ata arritën një fitore historike. Humbje të rëndësishme pësuan republikanët edhe në Teksas, Karolinën e Jugut, Ajova dhe Ohajo. Madje, demokratët fituan edhe në zona ku Trumpi kishte dalë fitues me diferenca të konsiderueshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Mbrëmë natën, ndërsa ndiqja ecurinë e zgjedhjeve në televizion, një fermer nga Teksasi tha që, pavarësisht pakënaqësive ndaj politikës së Trumpit në këto dy vite, Teksasi do të mbetet sërish i kuq. Në të vërtetë mëngjesi tregoi që republikanët kanë humbur edhe më Teksas. Kjo humbje elektorale ishte edhe një votë mosbesimi ndaj presidentit dhe mënyrës së tij të qeverisjes.
5.000 dollarët nuk e blenë besimin e amerikanëve
Trumpi kishte bërë një premtim me një faturë që mund të kalonte një trilion dollarë dhe që do të kërkonte miratimin e Kongresit. Administrata nuk kishte paraqitur një plan të plotë e bindës për financimin e tij. Por mesazhi politik ishte edhe më domethënës: votoni për republikanët dhe do të merrni para. Amerikanët nuk e pranuan këtë ofertë si garanci për të ardhmen e tyre. Ata votuan sipas gjykimit që kishin krijuar për gjendjen ekonomike, politikën e jashtme dhe mënyrën se si po drejtohej vendi. Këtu qëndron edhe një dallim i rëndësishëm demokratik. Vota nuk është mall që shitet në treg, as një privilegj që i jepet atij që premton më shumë. Ajo është një instrument për të ndëshkuar ose shpërblyer qeverisjen. Në vendet ku vota shitet për 50 euro, për një thes miell apo për ndonjë përfitim të çastit, qytetari rrezikon të shesë jo vetëm votën, por edhe dinjitetin e të ardhmen e vet. Zgjedhjet amerikane tregojnë se premtimet financiare nuk mjaftojnë gjithmonë për të blerë besimin e elektoratit. Qytetarët, që e kanë në shpirt demokracinë, e kanë të shtrenjtë lirinë personale dhe dinjitetin e vet.
Pse humbi Trumpi?
Arsyeja e parë është ekonomia. Trumpi kishte premtuar se do të ulte çmimet dhe do t’ua lehtësonte jetën familjeve amerikane. Por një pjesë e madhe e votuesve vazhdoi të përballej me koston e lartë të jetesës, çmimet e ushqimeve dhe pasigurinë ekonomike. Në dy vitet e fundit çmimet e shumë artikujve ushqimorë u rritën 50 për qind. Tarifat tregtare dhe taksat e rënda doganore, të cilat administrata i paraqiste si instrument për të mbrojtur ekonominë amerikane, u perceptuan nga shumë qytetarë si një faktor që rëndonte mbi çmimet.
Arsyeja e dytë është politika e jashtme. Lufta me Iranin dhe pasojat e saj kanë rënduar mbi administratën. Amerikanët nuk janë të gatshëm të mbështesin pa kufi një politikë ndërkombëtare që sjell pasiguri, shpenzime dhe rrezik për përfshirjen e vendit në konflikte të reja.
Arsyeja e tretë është arroganca presidenciale. Trumpi e personalizoi fushatën, duke u kërkuar qytetarëve ta trajtonin votën për republikanët si një votë për të. Ai u përpoq ta kthente çdo kritikë ndaj administratës në një sulm ndaj vetes. Por, kur një president e vendos veten mbi institucionet, mbi kundërshtarët dhe mbi çdo kritikë, rrezikon të harrojë se pushteti i tij buron nga vota e qytetarëve. Një tjetër problem ishte korrupsioni dhe perceptimi i mungesës së transparencës në qeverisje. Trumpi pagoi kështu çmimin e një politike që shpesh mbështetej te përplasja, kërcënimi dhe bindja se popullariteti i tij ishte i pakufishëm.
Një president me duart e lidhura për dy vitet e ardhshme
Fitorja demokrate ndryshon rrënjësisht ekuilibrat e pushtetit në Uashington. Tashmë situata është krejt tjetër. Demokratët do të mund të bllokojnë projektligje, të kundërshtojnë emërime të rëndësishme dhe të hapin hetime parlamentare për vendimet dhe veprimtarinë e administratës. Kjo do të thotë se Trumpi do të përballet me një Kongres që nuk do të jetë më instrument i shumicës së tij politike, por një qendër e fuqishme kontrolli dhe kundërshtimi. Ai do të ketë gjithnjë mundësinë e vetos presidenciale, por për ta kapërcyer atë do të nevojiten dy të tretat e votave në të dy dhomat, që ai nuk i ka . Prandaj, për të miratuar ligje të rëndësishme, do t’i duhet të negociojë me demokratët. Njëkohësisht, hetimet parlamentare mund të bëhen një problem serioz politik për Shtëpinë e Bardhë. Kësisoj, tigri politik që deri dje kërcënonte kundërshtarët nga podiumet elektorale do të duhet të mësohet me një realitet të ri: negocimin, kompromisin dhe kontrollin institucional.
Trumpi do ta përfundojë mandatin e tij, por sipas kushtetutës amerikane, nuk mund të kandidojë për një mandat tjetër. Kështu, pushteti i tij merr fund pas dy vjetësh dhe reputacioni i tij fillon të bjerë që tani. Megjithatë, ndikimi i tij mbi Partinë Republikane nuk do të zhduket menjëherë. Pyetja është nëse republikanët do të vazhdojnë ta konsiderojnë Trumpin si udhëheqësin e tyre politik edhe pas kësaj disfate, apo do të fillojnë të kërkojnë një figurë të re. Humbjet e fundit tregojnë se disa kandidatë republikanë të mbështetur prej tij nuk arritën të bindnin as elektoratin tradicional të partisë. Kjo mund të nxisë një proces distancimi nga Trumpi brenda vetë kampit republikan. Në politikën amerikane, besnikëria ndaj një lideri zgjat për aq kohë sa ai arrin të sjellë fitore. Kur humbjet bëhen të përsëritura, aleatët fillojnë të mendojnë për të ardhmen e tyre politike.
Demokracia funksionon pikërisht kështu. Qytetarët nuk kanë detyrimin të mbështesin një lider përgjithmonë. Ata kanë të drejtën ta ndryshojnë mendjen, ta ndëshkojnë në kutinë e votimit dhe t’i kujtojnë se pushteti nuk është pronë private. Ndoshta ky është mësimi më i madh i kësaj vale blu që përfshiu Amerikën: Në demokraci, presidenti mund të ketë shumë pushtet, por fjalën e fundit e kanë qytetarët.
Ndue Lazri
Written by: Daors Media
Copyright Daors Media - Developed by Bledi Orhani