Your dedications
Currently there are no new dedications

Sociale

Ja si i drejtohet nëna e një fëmije me autizëm, kryeministrit të Shqipërisë.

todayOctober 29, 2026 14

Background
share close

Cdo ditë, ndërsa studentët protestojnë për të drejtat e tyre dhe për një të ardhme më të mirë, mendimi dhe zemra ime janë me ta. ❤️ Por sot dua të flas edhe për ata që nuk mund të jenë në shesh, nuk mund të protestojnë dhe shpesh nuk mund ta shprehin vetë zërin e tyre: fëmijët tanë me aftësi të kufizuara dhe autizëm.

Sepse pas çdo të riu që ngrihet për të drejtat e tij qëndron një familje, një ëndërr dhe një shpresë. Dhe unë nuk mund të mos mendoj për të rinjtë tanë, të cilët, po të mos kishin këtë fat që u ka rezervuar jeta, sot mund të ishin edhe ata mes studentëve, duke kërkuar të drejtat e tyre dhe duke ëndërruar për të ardhmen.

🙏 Edhe ata kanë ëndrra. Edhe ata kanë të drejtë për dinjitet, për mundësi, për përfshirje dhe për një jetë ku të mos mbeten të harruar nga shoqëria dhe institucionet.

Ne prindërit e tyre kemi gjithë jetën që protestojmë ,për të gjitha të drejtat e mohuara ,të fëmijëve tanë !

Si mamaja e Kristit, e di sa të vështirë na e ka bërë jetën ky sistem, duke na lënë të përballojmë pothuajse të vetëm një përgjegjësi që nuk mund të jetë vetëm e familjeve tona. Ne lodhemi, ne plakemi, por nevojat e fëmijëve tanë për kujdes dhe mbështetje nuk mbarojnë kurrë.

🫶🏼 Si prindër, ne nuk kërkojmë mëshirë. Kërkojmë të drejta, mbështetje dhe mundësi reale për fëmijët tanë, edhe kur ata rriten e bëhen të rritur, sepse nevoja e tyre për kujdes dhe përfshirje nuk mbaron me moshën 18 vjeç.

😣 Ndonjëherë lodhja është aq e madhe, sa nuk të mbetet më fuqi as për të folur, as për të qenë e pranishme aty ku zemra do të donte të ishte. Por heshtja jonë nuk do të thotë se kemi hequr dorë.

Edhe fëmijët tanë kanë një vend në këtë shoqëri. Edhe zëri i tyre meriton të dëgjohet. Edhe e ardhmja e tyre ka rëndësi.

Por sot, përtej dhimbjes, kam edhe zemërim. Një zemërim që buron nga padrejtësitë e njëpasnjëshme që ne, prindërit e personave me aftësi të kufizuara, jemi të detyruar të përballojmë prej vitesh.

Zoti Kryeministër dhe ju, përfaqësues të qeverisë, si e menduat përjashtimin e të rinjve mbi 18 vjeç nga dyfishimi i pagesës?

Çfarë do të bëjë djali im tani? Po mijëra të rinj të tjerë, veçanërisht ata me autizëm, që kanë nevojë për kujdes dhe mbështetje çdo ditë të jetës së tyre? Mos vallë, sapo mbushin 18 vjeç, nevojat e tyre zhduken? Mos vallë gjithçka bëhet mirë dhe ata nuk kanë më nevojë për asgjë?

A mund të përballohen nevojat e tyre me 26 000 lekë në muaj? A e dini sa kushton kujdesi i përditshëm, sa e vështirë është të sigurosh gjithçka që i nevojitet një të riu me autizëm, kur shërbimet mungojnë dhe barra bie pothuajse e gjitha mbi familjen?

Po prindi ,që është i detyruar të qëndrojë 24 orë në 24 pranë fëmijës së tij, pa mundësi të punojë? Nëse do të punonte, do të merrte një pagë më të mirë ,jo 12000 lekë që i ofroni ju .Ai kujdeset për fëmijën e tij, çfarë sigurie ekonomike dhe çfarë të ardhmeje i garanton ky shtet?

Kemi vite të tëra që jetojmë në këtë realitet të dhimbshëm, duke u përpjekur të përballojmë gjithçka pothuajse të vetëm. Dhe tani na flitet për vitet e sigurimeve shoqërore, sikur një masë e tillë të mund të fshinte gjithë padrejtësitë e së kaluarës.

Na thuhet se nga 1 tetori 2026 do të kemi këtë mundësi. Po vitet që kaluan pa pasur mundësi të punonim? Po vitet që na ikën duke u kujdesur për fëmijët tanë, ditë e natë, pa pushim dhe pa siguri për pleqërinë?

Po ne, prindërit, që po plakemi duke u kujdesur për fëmijët tanë, çfarë pensioni do të kemi nesër? Nëse do të kemi mundësi ta gëzojmë pleqërinë, por kush do të kujdeset për fëmijët tanë kur ne të mos jemi më?

A mund të na thotë dikush se kush e mban këtë përgjegjësi? Apo duhet të vazhdojmë të sakrifikojmë gjithë jetën tonë dhe të kënaqemi me lugën bosh që na ofrohet, ndërsa vitet ikin dhe ne mbetemi gjithnjë e më të lodhur e të pasigurt?

Po shërbimet mjekësore, dentare, sociale dhe terapeutike? Ku janë shërbimet reale për personat me autizëm, veçanërisht për të rriturit? Ku janë qendrat ditore, mbështetja profesionale dhe mundësitë që ata të jetojnë me dinjitet, të përfshihen në shoqëri dhe të mos mbeten të izoluar e të harruar?

Është e dhimbshme dhe e papranueshme të mendosh se sa shumë nevoja mbeten pa përgjigje, sa shumë familje vuajnë në heshtje dhe sa pak zgjidhje konkrete u ofrohen.

Zoti Kryeministër, fëmijët tanë nuk janë barrë për shtetin. Ata janë qytetarë me të drejta! Mbushja e moshës 18 vjeç nuk i zhduk vështirësitë e tyre dhe nuk e pakëson nevojën për kujdes. Përkundrazi, për shumë familje, sfidat bëhen edhe më të rënda kur fëmijët rriten dhe shërbimet mungojnë.

Ne nuk kërkojmë privilegje. Nuk kërkojmë mëshirë. Kërkojmë drejtësi, mbështetje reale, shërbime funksionale dhe politika sociale që garantojnë dinjitetin e fëmijëve tanë dhe sigurinë e familjeve që kujdesen për ta.

Kërkojmë që qeveria të rishikojë menjëherë përjashtimin e të rinjve mbi 18 vjeç nga dyfishimi i pagesës, të garantojë mbështetje të barabartë për personat me aftësi të kufizuara dhe të krijojë shërbime reale për ta dhe familjet e tyre.

Elenica Kotelli

Written by: Daors Media

Rate it