Your dedications
Currently there are no new dedications

Opinion

Si ish-punonjës i Policisë së Shtetit, jo i policisë së pushtetit – një thirrje për Lartmadhërinë

todayOctober 22, 2026 35

Background
share close

Nga Mahir Jangulli

Zoti Rama, protesta ju kujtoi se Shqipëria ka edhe një Polici Shteti!

Pas ditësh përplasjeje dhe tensioni, sot kujtoheni të dilni përpara drejtuesve të Policisë dhe të flisni për forcën e shtetit. Por lind një pyetje e thjeshtë: Ku ishte ky shtet përpara se situata të përshkallëzohej? Ku ishte përgjegjësia institucionale për të parandaluar përplasjet dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve?

Policia e Shtetit nuk është pronë e një partie dhe as mburojë politike e një kryeministri. Ajo është institucion i qytetarëve shqiptarë dhe duhet të veprojë me profesionalizëm, paanshmëri dhe në zbatim të ligjit.

Dhuna ndaj policisë është e papranueshme, por edhe çdo përdorim i tepruar i forcës ndaj qytetarëve duhet të hetohet. Ligji nuk mund të zbatohet sipas interesave të ditës apo interesave politike. Ai duhet të jetë i barabartë për të gjithë.

Zoti Rama, nuk mjafton të kujtoheni për Policinë kur protestat marrin përmasa të mëdha. Shteti duhet të jetë i pranishëm çdo ditë, jo vetëm kur pushteti ndihet i sfiduar. Ai duhet të jetë pranë qytetarëve kur ata kërkojnë drejtësi, ngrenë shqetësimet e tyre dhe kërkojnë llogaridhënie.

Një shtet i fortë nuk dëshmohet vetëm me uniforma, gaz lotsjellës dhe masa sigurie. Ai dëshmohet me drejtësi, transparencë, përgjegjësi dhe respekt për të drejtat kushtetuese.

Policët që kryejnë detyrën me ndershmëri meritojnë respekt dhe mbrojtje. Qytetarët që protestojnë paqësisht meritojnë të dëgjohen. Dhe kushdo që shkel ligjin duhet të mbajë përgjegjësi, pavarësisht uniformës apo postit që mban.

Policia është e shtetit, shteti është i qytetarëve dhe askush nuk është mbi ligjin!

Shqipëria ka nevojë për institucione që funksionojnë çdo ditë, jo vetëm kur pushteti përballet me protesta.

Zoti Rama, ti e degraduat Policinë e Shtetit duke e mbushur me patronazhistë, të vendosur në rreshtin e parë për të përdorur shkopinjtë kundër popullit të tyre. Tani u kujtove për të, për paga dhe shpërblime shtesë, vetëm kur puna të erdhi te vetja dhe ndjeve se pushteti yt ishte në rrezik. Tani kërkon që Policia e Shtetit të të mbrojë ty!

Jep dorëheqjen, sepse i ke përfunduar kilometrat e tua politike, o rilindas!

Written by: Daors Media

Rate it