Your dedications
Currently there are no new dedications

Politikë

NËNTORI I TRETË:NGA SKËNDERBEU TE ISMAIL QEMALI:NGA PAVARËSIA KOMBËTARE TE BETEJA PËR ÇLIRIMIN E SHTETIT NGA PENGMARRJA POLITIKE:

todayOctober 13, 2026 2

Background
share close

Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër shpëtimtar.
Ka nevojë të shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga sistemi që prodhon shpëtimtarë të përjetshëm, kryetarë të pazëvendësueshëm dhe institucione të varura nga pushteti politik.
Historia e kombit shqiptar njeh dy nëntorë me një simbolikë të jashtëzakonshme.
I pari na kthen në 28 Nëntorin e vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë dhe hapi një epokë të re të qëndresës shqiptare.
I dyti na çon në 28 Nëntorin e vitit 1912, kur Ismail Qemali shpalli Pavarësinë në Vlorë, duke i dhënë kombit shqiptar shtetin e tij.
Nëntori i vitit 2026 është momenti që Lëvizja Politike “Diaspora për Shqipërinë” ka zgjedhur për të hedhur një hap të ri organizativ dhe politik në Tiranë.
Nuk pretendojmë të krahasojmë veprën tonë me figurat madhore të historisë.
Por besojmë se simbolika e nëntorit na vendos përpara një pyetjeje të rëndë:
Cfarë kemi bërë me shtetin për të cilin shqiptarët sakrifikuan kaq shumë?
Sepse sot problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e flamurit, e territorit apo e institucioneve në letër.
Problemi është se pushteti politik shpesh sillet sikur shteti është pronë e fituesit dhe qytetari është thjesht një numër që nevojitet ditën e zgjedhjeve.
Në Shqipëri kemi ndërtuar një kulturë politike ku kryetari kërkon besnikëri përpara aftësisë, ku partia kërkon bindje përpara mendimit të lirë dhe ku mandati parlamentar rrezikon të kthehet në një marrëdhënie varësie ndaj drejtuesit partiak.
Kjo është sëmundja më e rëndë e sistemit.
Dhe kjo sëmundje nuk ka vetëm një emër.
Ajo nuk fillon dhe nuk mbaron me Edi Ramën.
Nuk fillon dhe nuk mbaron me Sali Berishën.
Për Lëvizjen Politike “Diaspora për Shqipërinë”, modeli politik që përfaqësojnë mazhoranca dhe opozita tradicionale ka nevojë për një ndryshim rrënjësor.
Sepse rivaliteti i tyre nuk e zgjidh automatikisht problemin e përqendrimit të pushtetit, të dobësisë së demokracisë së brendshme dhe të mungesës së përgjegjësisë ndaj qytetarëve.
Njëra palë e sheh vazhdimësinë e pushtetit si dëshmi suksesi.
Tjetra e sheh rikthimin në pushtet si përgjigje ndaj problemeve të vendit.
Por për qytetarin shqiptar pyetja duhet të jetë shumë më e thellë:
Çfarë ndryshon në jetën time nëse ndryshon vetëm emri i kryeministrit, ndërsa marrëdhënia e shtetit me qytetarin mbetet e njëjtë?
Nëse për një vend pune vazhdon të kërkohet ndërhyrje politike, çfarë ka ndryshuar?
Nëse një kryetar partie vendos praktikisht për fatin politik të deputetëve, çfarë ka ndryshuar?
Nëse pushteti vendor mbetet financiarisht i varur nga qendra, çfarë ka ndryshuar?
Nëse qytetari duhet të kërkojë mik për të marrë një shërbim që i takon me ligj, çfarë ka ndryshuar?
Nëse institucionet ndryshojnë drejtues sa herë ndryshon qeveria, çfarë ka ndryshuar?
Asgjë thelbësore nuk ndryshon nëse ndërrohen njerëzit dhe ruhen mekanizmat që prodhojnë abuzimin.
Kjo është arsyeja pse kritika jonë nuk kufizohet te një qeveri apo një opozitë.
Ne kundërshtojmë modelin e partisë që funksionon si pronë personale.
Kundërshtojmë modelin e administratës që shpërblen besnikërinë politike.
Kundërshtojmë modelin e parlamentit ku disiplina partiake rrezikon të mbysë përfaqësimin qytetar.
Dhe mbi të gjitha, kundërshtojmë idenë se shqiptarët duhet të zgjedhin përgjithmonë midis dy poleve të së njëjtës kulturë pushteti.
Nuk mund të vazhdojmë të rrëzojmë mbretin dhe të ruajmë fronin.
Sepse froni është problemi.
Për dekada kemi diskutuar se kush duhet të ulet në të, ndërsa shumë më pak kemi diskutuar se si duhet kufizuar pushteti i atij që ulet.
Shqipëria ka nevojë për një shtet ku ligji nuk ndryshon sipas emrit të kryetarit, ku institucionet nuk përkulen përpara kryetarit dhe ku deputeti nuk e harron se mandatin e ka marrë për të përfaqësuar njerëzit.
Ka nevojë për drejtësi sociale, për ekonomi që shpërblen punën, për arsim që vlerëson dijen, për shëndetësi që respekton pacientin dhe për një shtet që nuk e lë njeriun e pambrojtur vetëm përballë varfërisë.
Një Republikë nuk matet vetëm nga madhështia e ndërtesave qeveritare, por nga dinjiteti i qytetarit më të zakonshëm.
Në këtë realitet, takimi i 26 Shtatorit në Vigevano shënoi fillimin e një procesi organizimi politik që synon të bashkojë përvojën e Diasporës me energjinë dhe nevojat e qytetarëve në Shqipëri.
Aktualisht po zhvillohet procesi i mbledhjes së firmave për regjistrimin e Lëvizjes Politike “Diaspora për Shqipërinë”.
Në nëntor 2026, në Tiranë, është planifikuar mbajtja e Kuvendit, ku do të paraqiten dhe miratohen Statuti, Programi Politik dhe organet drejtuese, sipas procedurave përkatëse.
Ne e quajmë simbolikisht këtë etapë “Nëntori i Tretë”.
Jo sepse një kuvend politik mund të barazohet me historinë e Skënderbeut apo të Ismail Qemalit.
Por sepse duam që nëntori të na kujtojë një detyrim të madh:
Shteti shqiptar nuk është trashëgimi private e askujt.
Nëse në vitin 1443 sfida ishte qëndresa dhe në vitin 1912 sfida ishte Pavarësia:
Në vitin 2026 sfida jonë është ndërtimi i një kulture demokratike ku pushteti kontrollohet, përgjegjësia kërkohet dhe qytetari respektohet.
Dhe këtë do ta fillojmë nga vetja.
Nuk mund të kritikojmë kryetarët e përjetshëm dhe të krijojmë një tjetër kryetar të përjetshëm.
Nuk mund të kritikojmë nepotizmin dhe të ndërtojmë strukturat tona mbi miqësitë.
Nuk mund të kritikojmë mungesën e transparencës dhe t’i fshehim financat tona.
Nuk mund të kritikojmë arrogancën e pushtetit dhe të mos dëgjojmë qytetarin që mendon ndryshe nga ne.
Ne do te ndryshojmë mënyrën se si organizohemi, dhe do te kemi të drejtën të pretendojmë se do të ndryshojmë mënyrën se si qeveriset Shqipëria.
Kjo është prova e vërtetë e nëntorit 2026.
Jo sa njerëz do të jenë në sallë.
Jo sa duartrokitje do të marrin fjalimet.
Jo kush do të zgjidhet drejtues.
Por çfarë rregullash do të miratohen, çfarë programi do të ndërtohet dhe sa seriozisht do të respektohen ato.
Nëntori i Tretë nuk duhet të jetë një festë për lindjen e një kryetari të ri.
Do të jetë fillimi i një organizimi ku asnjë kryetar nuk mund të bëhet më i rëndësishëm se rregullat.
Historia do ta gjykojë këtë përpjekje nga veprat dhe jo nga deklaratat.
Ne sot mund të përcaktojmë vetëm synimin dhe përgjegjësinë që marrim përsipër.

1443 – Nëntori i Skënderbeut, simbol i qëndresës.
1912 – Nëntori i Ismail Qemalit, simbol i Pavarësisë.
2026 – Nëntori i Tretë, aspirata për një kulturë të re politike dhe për një shtet që u shërben qytetarëve.
Nga Kruja në Vlorë.
Nga Vigevano në Tiranë.
Historia na kujton se Shqipëria është më e madhe se çdo individ dhe se asnjë brez nuk ka të drejtë ta trajtojë si pronë të vetën.

SHQIPËRIA NUK KA NEVOJË PËR NJË PRONAR TË RI.
KA NEVOJË TË MOS KETË MË PRONARË.

LËVIZJA POLITIKE “DIASPORA PËR SHQIPËRINË”

Written by: Daors Media

Rate it