Your dedications
Currently there are no new dedications

Sociale

🖤Dje u nda nga jeta, mikja ime Greta.

todayOctober 10, 2026 15

Background
share close

Greta ishte një nga vajzat më të famshme të rrjeteve sociale. Ajo kishte 250.000 ndjekës në Instagram dhe 180.000 në Facebook.

Ishte vajzë e qeshur dhe shumë simpatike.

Ajo preferonte fitnesin, plazhin, udhëtimet dhe jetën luksoze.

Sytë e saj ishin magjikë dhe trupi i saj me forma ishte shumë drithërues.

Greta ishte shumë aktive në rrjetet sociale.

Ajo komentonte e para fotot e mia, ajo bënte e para like , ajo më bënte share çdo analizë apo postim timin. Thjesht, ajo ishte një nga mbështetëset e mia kryesore.

Dje mora lajmin e hidhur nga Greta.

Ishte ora 16:00 dhe unë po drekoja me disa kolege.

Pasi postova në Instagram një foto live nga restoranti, në mes të miqve dhe mikeshave të mia, më erdhi mesazhi tragjik nga Greta: “Profesor Kreshniku, jam shumë e zhgënjyer me ju që ju shoh në foto në krah me shefen e prokurorisë, e cila më ka arrestuar disa vite më parë. Unë jam Xhemilja, por shkurt më quajnë Greta në Instagram. Jam liruar me kusht, ndërsa i dashuri im është dënuar me 18 vjet. Prokuroria më arrestoi për trafik ndërkombëtar droge dhe kjo shoqja jote në foto ka firmosur përgjimet e mia. Ajo shtrigë e keqe.”

I futa një bllok dhe “e ekzekutova” Gretën, duke mos ekzistuar më virtualisht.

Pas lashë mijëra ndjekës që i bëjnë like fotove të një profili fallco. Mijëra të tjerë që i bëjnë komplimente me komente. Mijëra që i dërgojnë mesazhe për t’u njohur.

Qesha disi i nervozuar dhe mendova që rrjetet sociale po vrasin çdo aspekt njerëzor.

Ato po rrënojnë miqësitë dhe jetën shoqërore.

Ato po shkatërrojnë familje dhe marrëdhënie njerëzore.

Rrjetet sociale janë bërë një iluzion fiktiv për meshkujt dhe femrat, si alternativë për të tjera marrëdhënie.

Falsiteti i rrjeteve sociale ka provokuar egot, xhelozitë dhe ëndrrat boshe.

Miliona dhe miliarda njerëz nuk jetojnë për veten, por për të tjerët. Publikohen foto për të testuar dhe përmbushur jetën bosh, në pritje se sa do t’u bëjnë like dhe sa do t’i komentojnë.
Kurioziteti, lakmia dhe zilia për jetën e të tjerëve kanë nxitur konkurrencën e bazuar mbi imoralitetin.

Njerëzit po braktisin miqësitë reale disavjeçare, duke u tërhequr nga miqësitë virtuale.

Burra që u shkruajnë grave të panjohura dhe gra që pëlqejnë burra anonimë.

Miliona flirte dhe mesazhe dashurie drejtuar fotove me fotoshop apo profileve false. Njerëz të shtirur që përmbushen me pëlqime anonime.

Marrëdhënie që ndërtohen në celular, pa e kuptuar që njerëzit po bashkëjetojnë prej 20 vjetësh dhe nuk po arrijnë ta njohin njëri-tjetrin. Atëherë, si mund të besosh te dikush që të bën 20 like dhe që nuk e ke takuar kurrë?

Rrjeti social është bërë si një armë pa leje, për të vrarë ndjenja, për të baltosur personazhe, për të vjedhur informacion, për të përgjuar, për të denigruar, për të akumuluar mllefet, inatet, zhgënjimet dhe dëshpërimet e njerëzve që nuk guxojnë ta ndërtojnë dashurinë, ëndrrat, shpresat, debatet, kritikat apo marrëdhëniet sy më sy.

Shqiptarët janë 5-6 milionë në Ballkan, por kanë 10 milionë profile në rrjetet sociale, sepse gjysma e burrave mbajnë profile false.

Papritmas, mikja ime prokurore, me të cilën kam 30 vite miqësi, më ra me bërryl dhe tha:

“Kreshnik, çfarë po sheh në Instagram?”

Mbylla telefonin dhe i kërkova falje shoqes sime të rinisë, duke i thënë: “Më fal që humba 5 minuta nga jeta ime dhe nga miqësia jonë e vërtetë, duke u marrë me njerëz të çmendur.”

Qeshëm dhe trokitëm gotat me verë, dhe unë pashë në sytë dhe rrudhat e saj bukurinë organike të një shoqeje, kolegeje dhe mikeje të paharrueshme, bukuri të pakrahasueshme me silikonin dhe fotoshopin e Gretës.

Greta u nda nga jeta ime me një klik, ashtu siç meriton të vdesë çdo miqësi false dhe surreale nga një botë teknologjike që po vret çdo ditë nga pak ndjenjat, emocionet, por edhe miqësitë tona.

Shkruar nga Kreshnik Spahiu

Written by: Daors Media

Rate it

Similar posts

Sociale

Shoqëri që e ka humbur moralin:

Më bën përshtypje si u katandis shoqëria sot. Morali i shoqërisë është shumë i ulët. Gra e burra që të japin mend e të bëjnë moral i gjen të ngujuar duke parë emisionin “Për’puthen”. Po ku ka moral ai apo ajo që ndjek të tilla emisione? Morali nuk është në […]

todayOctober 8, 2026 5