Your dedications
Currently there are no new dedications

Opinion

RROFTË PARIMI, POSHTË PARIMI! RROFTË VOTA, POSHTË VOTA!LAVDI DOGANA!

todayOctober 9, 2026 4

Background
share close

ÇFARË REPUBLIKE E MREKULLUESHME KJO E JONA!

Deputetët vijnë në Parlament me fjongon rozë në gjoks, simbolin e luftës kundër kancerit. Të rregulluar si për festë. Sa fotogjenikë!
Pastaj mbaron fotografia dhe fillon Shqipëria e vërtetë. Ajo ku gratë me kancer duhet të luftojnë jo vetëm me sëmundjen, por edhe me mungesën e barnave, terapive, trajtimit dhe parave për t’i përballuar ato. Familje që rrënohen financiarisht për të blerë shpresën. Kush nuk ka para, i dorëzohet vdekjes. Dhimbje që nuk pret tenderin e radhës. Sëmundje që nuk pret mbledhjen e grupit parlamentar. Qeliza kancerogjene që nuk ndalen për të dëgjuar fjalimin e radhës në Parlament. E megjithatë, këta njerëz mbajnë fjongon rozë!
Çfarë guximi! Të mbash simbolin e luftës për jetën në gjoks, ndërsa përgjegjësia për jetën e qytetarëve mbetet në sirtarët e shtetit!
Por kjo republikë e mrekullueshme nuk resht së na mahnituri! Parlamenti, ku për orë të tëra deputetët mbajnë leksione morali, na zbulon se sa kushton e gjithë ajo dramë.
Harta territoriale mbi tryezë. Interesat elektorale në prapaskenë. Fjalimet për popullin në mikrofon.
Dikush bërtet kundër, por voton pro. Dikush mbron parimet, por, kur vjen momenti i vendimit, vota e tij është kundër parimit. Të tjerë bëjnë sikur po shembin muret e sistemit, por kujdesen që skena të mos shembet mbi kokën e tyre.
Dhe shqiptarët? Rrinë zgjuar deri në orët e vona të natës, duke pritur një fije shprese se, të paktën këtë herë, ai që bërtet më fort në emër të parimeve do ta godasë këtë sistem.

Fjalë kundër, votë pro. Intervista për parimet, votë për sistemin! Flasim nesër!

Deputetët dalin nga salla. Të krehur, të rregulluar, me kostumet pa rrudha dhe me buzëqeshjen e atyre që e quajnë veten fitimtarë. Fjongot rozë në gjoks, të vendosura si dekor. Ndërkohë, doganierët e këtij sistemi janë gati të gatuajnë kontrabandën e radhës. Ministria e Propagandës u shtron tapetin. Me siguri, fotografia e radhës është gati për t’i promovuar e për t’u dhënë peshë politike. Sot në qendër të vëmendjes, nesër protagonistë dhe pasnesër, kryetarë strukturash o…?.

Çfarë karriere e jashtëzakonshme! Në teatrin tonë politik, ndonjëherë mjafton të jesh personazhi i episodit të radhës.
Në politikën shqiptare, sulmi kthehet në reklamë, konflikti në promovim dhe zhurma në trampolinë karriere. Rama ndez skenën, personazhet fitojnë vëmendjen, ndërsa qytetari mbetet duke paguar faturën e doganës.
Ne presim doganierët e radhës të kësaj loje politike. Ata që dalin nga prapaskena, marrin dritën e kamerave dhe paraqiten si fytyrat e së ardhmes. Të reja?! Sepse skenari kaq i vjetër. E kush merret me Shqipërinë që nuk shfaqet para kamerave?

Kush merret me pacientet që presin terapinë? Me familjet që nuk kanë para për ilaçe? Me qytetarët që presin drejtësi, shërbime dhe institucione që funksionojnë për ta, e jo sipas interesave të radhës politike?
Askush nuk ka kohë. Të gjithë janë të zënë me rolet e tyre, me kundërshtarët e radhës dhe me luftën për të mbetur në qendër të vëmendjes.
Deputetët mund ta mbyllin votimin brenda një nate. Qytetarët do të jetojnë me pasojat e tij për vite.
Mos harroni se ju mund ta ndryshoni hartën, por nuk mund ta fshini nga kujtesa e qytetarëve mënyrën se si i keni trajtuar. Mund ta miratoni reformën brenda një nate, por pasojat nuk mbarojnë kur fiket mikrofoni.
Dhe ja ku mbërrijmë te ironia më e zezë e kësaj republike: fjongo rozë për të treguar dashurinë për jetën, ndërsa jeta e qytetarit pret fjalime për demokracinë, ndërsa votat kërkojnë shpjegim; betime për popullin, ndërsa politika kujdeset për mbijetesën e vet.
Deputetë, mos u lodhni duke rregulluar fjongot para kamerave. Rregulloni më parë atë që nuk shkon në këtë vend!
Dhe ju që bërtisni kundër njëri-tjetrit në Parlament, mos mendoni se shqiptarët nuk e dallojnë zërin nga vota. Mund të lodhen, mund të zhgënjehen, por e kuptojnë kur fjalët nuk përputhen me veprimet.
Kanceri nuk pret. Dhimbja nuk pret. Drejtësia nuk duhet të presë pafundësisht. Dhe qytetarët nuk janë publiku që duhet t’ju duartrokasë në fund të çdo shfaqjeje.

FJONGO ROZË NË GJOKS. HARTË TERRITORIALE NË VOTIM. SULME POLITIKE NË SKENË. DOGANIERË TË PËRHERSHËM NË PRAPASKENË.

Në këtë vend duket se mund të kesh gjithçka: pushtet, mikrofon, kamera, kostum të shtrenjtë dhe shtëpi luksoze. Vetëm përgjegjësia vazhdon të jetë malli që mungon në tregun politik. Dhe pastaj çuditen pse shqiptarët nuk besojnë më!
Nuk është se shqiptarët nuk i kuptojnë fjalët tuaja. Është se e kanë parë shumë herë se çfarë bëni pasi mbarojnë fjalët, fiken kamerat dhe mbyllen dyert e Parlamentit

Turp për një pushtet që dehet nga numrat e shumicës dhe harron se pas çdo vote ka qytetarë, pas çdo vendimi ka pasoja.
Parlamenti nuk është noter i vullnetit tuaj dhe qytetarët nuk janë skllevër të vendimeve tuaja. Sot mund të fitoni me kartonë të ngritur, por asnjë karton nuk ju lan dot përgjegjësinë përballë atyre që ende shpresojnë se ky vend mund të bëhet më i drejtë!

U gdhi një tjetër ditë kontrabande e dogana ngriti traun!

Alba Alimehti Kepi:

Written by: Daors Media

Rate it