play_arrow
Daors Radio
Protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Francë po shoqërohen me përplasje të forta dhe dëme të konsiderueshme, ndërsa bilanci i të plagosurve ka kaluar mbi 1 mijë persona.
Sipas të dhënave të autoriteteve franceze, që prej nisjes së mobilizimeve në mesin e shtatorit janë plagosur 215 nxënës dhe 88 pjesëtarë të stafit arsimor. Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, tha se një pjesë e rasteve lidhen me sjellje të rrezikshme dhe përdorimin e mjeteve shpërthyese.
Situata ka prekur edhe forcat e rendit. 715 policë dhe xhandarë janë plagosur që nga fillimi i protestave. Ndërkohë, 24 shkolla janë dëmtuar ose djegur në një masë që nuk lejon rihapjen e menjëhershme, ndërsa dëmet në qindra institucione të tjera vlerësohen në 20-30 milionë euro.
Përballë situatës së krijuar, Ministri i Brendshëm Laurent Nunez ka njoftuar pezullimin e përdorimit të granatave trullosëse nga policia gjatë mobilizimeve të nxënësve.
Vendimi erdhi pasi një 15-vjeçar humbi dorën nga shpërthimi i një granate gjatë protestave. Ndërkohë, organi francez i mbikëqyrjes së policisë, IGPN, ka hapur 18 hetime për veprimet e forcave të rendit. Nunez ka kërkuar që ndërhyrjet policore të jenë proporcionale dhe ka theksuar se protestat e nxënësve duhet të trajtohen ndryshe nga mobilizimet e të rriturve.
Bilanci i masave policore është gjithashtu i lartë. Që prej 28 shtatorit janë arrestuar 6,547 persona.
Protestat kanë goditur drejtpërdrejt edhe procesin mësimor. Të mërkurën, mësimi raportohet se është pezulluar plotësisht ose pjesërisht në 459 shkolla. Një ditë më parë, numri i institucioneve të prekura kishte arritur në 891, nga rreth 3,700 shkolla të mesme në vend.
Në Paris, Nice dhe Lion, nxënësit vijuan bllokimin e hyrjeve të shkollave. Vetëm në rajonin e Lionit, 11 persona janë plagosur dhe 21 institucione arsimore janë prekur që nga nisja e protestave./ Zoom .al
Written by: WindowMedia.de
Copyright Daors Media - Developed by Bledi Orhani