Your dedications
Currently there are no new dedications

Opinion

Paralelisht me qeverinë në Pogradec, në këmbë ishte ngritur edhe një pjesë e mirë e PD-së së Tiranës, eksponentë të së cilës darkuan cepave të Pogradecit me përfaqësuesit e së majtës.

todayAugust 25, 2026 26

Background
share close

Hallet që la pa zgjidhur Kryeministri në Pogradec janë shumë herë më të mëdha se premtimet ndaj 2-3 pensionistëve të mashtruar që në gjenezë, të cilët u detyruan të aktrojnë si të indoktrinuar nga kulti i individit të quajtur Edi Rama.

Jargavitja nuk ishte asgjë tjetër veçse bileta për të hyrë tek ai, i cili së fundmi kuptoi, për një çast, se administrata e drejtuar prej vetë tij nuk i kishte zgjidhur prej vitesh ato probleme që iu servirën nën freskinë e gjolit. Jo në pjesën ku shkruante Lasgushi, por në cepin ku dikur flladitej diktatori.

Rama iku dhe la pas fshatra pa infrastrukturë rrugore, fshatra që përvëlohen pa ujë dhe vende turistike të pafrekuentueshme. Të gjitha këto falë mosvëmendjes së tij ndaj Pogradecit, duke e persekutuar sërish në investime të qëndrueshme.

Nuk ua zgjidhi dot as hallin pensionistëve me pensionet mizerje, as bizneseve të lagjeve që kanë koleksione me fletore borxhesh. Nuk zgjidhi as hallin e të papunëve të qytetit, që me trastën në kurriz marrin rrugën e kurbetit, madje as të atyre që jetojnë me ndihmë ekonomike. Edi Rama nuk zgjidhi praktikisht asnjë problem; thjesht zgjidhi ca halle të vetat, të cilat i japin edhe pak kohë jetë politike.

Rama, në dy ditë qëndrimi në Pogradec, bëri terror. Vendosi në shtetrrethim qytetin, stërmundoi efektivët e policisë, duke i lënë në pikun e diellit dhe të vapës, me turne tepër të gjata. Stërmundoi edhe të shkretët kolegë gazetarë të mediave që ndoqën aktivitetin gjatë gjithë kohës.

Por bëri edhe teatër! Mes asaj që nuk u pa në këto dy ditë ishte edhe një protestë e vogël, në një cep të vilave ku mbahej takimi. Turistët e huaj, me flamingo në duar, kërkuan dorëheqjen e Ramës, ndërsa opozitarët e Partisë Demokratike në Pogradec nuk u panë askund.

Për të mos folur se, paralelisht me qeverinë, në këmbë ishte ngritur edhe një pjesë e mirë e PD-së së Tiranës, eksponentë të së cilës darkuan cepave të Pogradecit me përfaqësuesit e së majtës. Vëllezërit demokratë dhe socialistë që na nderojnë vendin!

Ju kujtohet i moshuari i parë, për të cilin ishte lënë porosi që të bëhej publik si pjesë e propagandës? Pasi u servir për konsum mediatik, Kryeministri u mallëngjye dhe e priti në takim. Para se të shkonte në këtë takim, mezi u gjet diku në një fshat, sepse kishte ikur dhe, në fakt, nuk e kishte pritur gjithë kohën Ramën jashtë rrethimit.

Para se të çohej në takimin e shumëpritur, e rruajtën dhe e lanë, që Kryeministrit të mos i vinte grama e djersës së pritjes dhe aroma e popullit që nuk jeton në kondita kryeministrore.

E ç’t’ju them më tepër?

Si gjithmonë, Rama bën sikur gënjen, ne bëjmë sikur e besojmë.

Nuk zgjidhen dot hallet e këtij populli nga ata që i shkaktojnë…

Shkruan Armand Braho:

Written by: Daors Media

Rate it