Your dedications
Currently there are no new dedications

Politikë

“Lumi Ibër si armë politike, Vuçiç në udhëkryq: Ish-Kryeministri i Shqipërisë i rrëzon maskën “Aleksandrit të vogël” të Serbisë

todayAugust 9, 2026 9

Background
share close

Ibri si kërcënim politik dhe paradokset e Beogradit: Deklaratat e Vuçiçit ndezin debatin në Ballkan

Deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër ka rikthyer në qendër të vëmendjes një prej plagëve më të ndjeshme të marrëdhënieve mes Serbisë, Kosovës dhe shqiptarëve. Në një kohë kur Beogradi pretendon se synon integrimin europian dhe kërkon të paraqitet si një aktor i rëndësishëm politik në rajon, përdorimi i një çështjeje të tillë si mjet presioni politik hap një tjetër kapitull të debatueshëm në retorikën serbe.

Fjalët e Vuçiçit nuk vijnë në një vakum politik. Ato shfaqen në një moment kur Serbia përpiqet të balancojë marrëdhëniet me Bashkimin Europian, lidhjet e saj tradicionale me Rusinë, qëndrimin ndaj luftës në Ukrainë dhe konfliktin e pazgjidhur politik me Kosovën. Në këtë mozaik kontradiktash, çdo deklaratë e Beogradit ndaj shqiptarëve merr një peshë të veçantë dhe lexohet përtej kufijve të Serbisë.

Në të njëjtën kohë, vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd ka shtuar një tjetër element në këtë panoramë. Serbia, e cila vazhdon të mbajë marrëdhënie të veçanta me Moskën, pret në kryeqytetin e saj presidentin e një vendi që prej vitesh ndodhet në luftë me Rusinë. Përballë këtij zhvillimi, pyetjet mbi koherencën e politikës së jashtme serbe bëhen edhe më të forta.

A është kjo një strategji e mirëllogaritur diplomatike e Beogradit, një lojë e dyfishtë mes Lindjes dhe Perëndimit, apo një politikë që po përpiqet të përdorë njëkohësisht Kosovën, shqiptarët, Rusinë dhe Ukrainën për konsum të brendshëm politik?

Në këtë debat ndërhyn edhe ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko, i cili në një reagim të gjatë dhe të drejtpërdrejtë vendos përballë deklaratat e Vuçiçit me kontradiktat që, sipas tij, shoqërojnë politikën serbe. Majko e çon diskutimin përtej lumit Ibër dhe e lidh atë me Kosovën, Ukrainën, Rusinë, Bashkimin Europian dhe mënyrën se si Beogradi po ndërton narrativën e tij politike.

Me një gjuhë të fortë, kritike dhe herë-herë ironike, Majko ngre pikëpyetje mbi atë që e konsideron një politikë të mbështetur mbi paradokse dhe mesazhe kontradiktore. Në qendër të reagimit të tij qëndron pyetja se sa mund të zgjasë kjo mënyrë e të bërit politikë dhe, mbi të gjitha, kujt i drejtohet realisht retorika e presidentit serb.

Më poshtë sjellim të plotë reagimin e Pandeli Majkos:

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë! Ai e lidh këtë veprim shtetëror me trajtimin e serbëve nga autoritetet në Prishtinë, “… dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”!
Në hapësirën europiane ku Serbia dëshiron të bëjë pjesë, reflekse të tilla vijnë nga periudha përpara se qytetërimi të shkruante ligjet! 

Duket se Aleksandër Vuçiç dëshiron që “marrdhënien me shqiptarët” ta bëj fabulën e zgjedhjeve elektorale  në Serbi! 

Presidenti i Serbisë e vendosi edhe vizitën e presidentit të Ukrainës Zelenski në Beograd në kontekstin e pyetjes retorike “A kanë pasur shqiptarët goditje më të fortë se kjo në 14 vitet e fundit?”…

Në fakt, vizita e presidentit Zelenski në Beograd ngre pikëpyetje thelbësore për seriozitetin e politikës shtetërore serbe! 

Vështirë të gjesh një precedent të dytë ku një shtet që dëshiron të integrohet në Bashkimin Europian refuzon të ndjekë politikën europiane me Rusinë, për shkak të marrdhënieve të veçanta me Moskën!

Vështirë të gjesh një rast në histori, kur nga një komb si ai serb shkojnë me qindra vullnetarë për të luftuar në krah të rusëve në Ukrainë, ndërsa qeveria e tyre bën tregëti armësh me Kievin!

Të “gëzohesh” pse presidenti ukrainas, për arsye të rrethanave të vendit të tij, nuk njeh Kosovën nuk është sukses!
Të “vrasësh” me armë serbe, vullnetarët serbë që luftojnë kundër Ukrainës ky është një guxim që tejkalon edhe “ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër”!

Të presësh presidentin e një vendi që është në luftë me Rusinë që ka bërë më shumë për Serbinë në dy shekujt e fundit duhet një guxim që nuk e “lan” as lumi Ibër… 

Politika e “Aleksandrit të vogël” të Serbisë është në një udhëkryq! Ajo ju duhet përkthyer serbëve… dhe jo shqiptarëve! Kjo politikë të kujton veç përrallën e Andersenit të mbretit lakuriq…!

Written by: Daors Media

Rate it