Your dedications
Currently there are no new dedications

Politikë

POLITIKA E TIRANËS PO DRIDHET:

todaySeptember 10, 2025 9

Background
share close

Këmbanat e Non Gratave në Ballkan – nga Podgorica te Tirana e Prishtina

Sot në Mal të Zi ra një tjetër goditje e fortë nga Uashingtoni. Dy figura të larta, Millo Bozhoviç, ish-kryetar i Budvës dhe deputet aktual, si edhe Vesna Medenica, ish-kryetare e Gjykatës Supreme, u shpallën non grata nga SHBA. Atyre iu ndalohet hyrja në territorin amerikan, duke u futur përfundimisht në listën e turpit politik e institucional. Ky nuk është thjesht një lajm lokal. Është një kambanë që po bie për të gjithë Ballkanin, më fort se kurrë.

Çfarë do të thotë ky vendim?

Ky akt i Uashingtonit është një sinjal i qartë se korrupsioni dhe lidhjet me krimin nuk do të tolerohen më. Nuk ka rëndësi nëse je deputet, kryetar gjykate apo kryeministër; nëse ke abuzuar me pushtetin, emri yt mund të përfundojë në listën e zezë.

Ky vendim është një gjyq moral që Amerika ia bën elitave politike të rajonit, duke treguar se Ballkani nuk mund të ecë drejt Evropës dhe demokracisë me këto fytyra të korruptuara që e kanë mbajtur peng për dekada.

Mesazhi për Shqipërinë

Shqipëria nuk është e paprekshme. Përkundrazi, është shembulli më i qartë i asaj që Uashingtoni kërkon të frenojë.

Shumë emra të njohur të politikës shqiptare janë shpallur tashmë “non grata”. Sali Berisha dhe Ilir Meta janë dy figurat më të fuqishme që mbajnë sot damkën e turpit amerikan. Dy njerëz që për dekada kanë sunduar politikën shqiptare, sot janë të përjashtuar nga SHBA si të korruptuar dhe minues të demokracisë. Kjo nuk është e gjitha. Brenda partive, shumë të tjerë përmenden si kandidatë potencialë për listën e zezë. Nga kryetarë bashkish që pasurohen në kurriz të qytetarëve, tek ministra që e kanë kthyer pushtetin në biznes privat, askush nuk mund të ndjehet i sigurt.

Pra, kur në Podgoricë bie kambana, në Tiranë duhet të ketë dridhje. E ardhmja politike e shumë figurave të korruptuara është veçse çështje kohe.

Mesazhi për Kosovën

Edhe në Kosovë situata nuk është ndryshe. Edhe atje korrupsioni është i rrënjosur thellë. Prokurorë, gjykatës, ministra – shumë prej tyre kanë dosje që flenë në sirtar, ndërsa qytetarët paguajnë faturën e padrejtësisë. Nëse sot SHBA shpall “non grata” një ish-kryetare të Gjykatës Supreme në Mal të Zi, kush e pengon që nesër të ndodhë e njëjta gjë në Prishtinë?

Rajoni në prag pastrimi

Ky nuk është vetëm një aksion kundër individëve. Është një strategji për pastrimin moral të Ballkanit. SHBA dhe aleatët e saj kanë kuptuar se rajoni nuk mund të stabilizohet për sa kohë që elitat e vjetra vazhdojnë të sundojnë me korrupsion, krim të organizuar dhe lidhje të errëta.

Kjo është arsyeja pse sot Millo Bozhoviç dhe Vesna Medenica janë në listën e zezë. Nesër mund të jetë një ish-kryeministër, një president apo një gjykatës i lartë në Shqipëri, Kosovë, apo gjetkë në Ballkan.

“Non grata” – damka që nuk fshihet

Shumë politikanë mendojnë se kjo është një çështje kalimtare, se një ditë emri i tyre do të “pastrohet”. Por shpallja non grata është një damkë që nuk fshihet. Ajo mbetet në histori, si një vulë turpi për brezat që vijnë. Çdo herë që përmendet emri i tyre, do të lidhet me fjalët: “i shpallur i padëshiruar nga SHBA për korrupsion”.

Kush është i radhës?

Kjo është pyetja që sot kumbon në rajon. Sepse kambanat nuk bien vetëm për Budvën apo Podgoricën.

Bien për Tiranën, ku korrupsioni ka kapur çdo institucion. Bien për Prishtinën, ku drejtësia shpesh shitet e blihet si mall në treg. Bien për Shkupin, Beogradin, Sarajevën – për çdo vend që ka lejuar kriminelët të shiten si politikanë dhe politikanët të bëhen ortakë me kriminelët.

Ky është fundi i një epoke. Ballkani po hyn në një fazë të re ku nuk mjafton më retorika politike, flamujt apo fjalimet patriotike. Tashmë kërkohet llogari konkrete. Dhe kush nuk jep llogari, përfundon i izoluar, i përjashtuar dhe i damkosur.

Written by: Daors Media

Rate it