Your dedications
Currently there are no new dedications

Politikë

JORIDA TABAKU PROFILI I KRYETARES PËR PARTISË DEMOKRATIKE:

todaySeptember 4, 2025 11

Background
share close

Sali Berisha, gjenerali i ushtrisë së vdekur

Opozita shqiptare sot duket e varrosur në një gjumë të rëndë, një gjumë të thellë që ngjan më shumë me një vdekje klinike politike sesa me një pushim të përkohshëm. Refuzojnë të zgjohen, refuzojnë të marrin përgjegjësi, refuzojnë të kuptojnë se vendi nuk mund të presë pafundësisht. Në vend që të jenë zëri i popullit të zhgënjyer, të grabitur, të tradhtuar nga pushteti, ata janë shndërruar në një grup njerëzish që thjesht duan të ruajnë privilegjet e tyre – rrogat, dietat, statusin e deputetit. Me fjalë nuk i njohin zgjedhjet, por me vepra i pranojnë të gjitha përfitimet që vijnë prej tyre. Kjo nuk është opozitë, kjo është hipokrizi.

Kjo strategji e heshtjes, e mospërgjegjësisë dhe e mungesës së kurajos është në fakt mënyra më e lehtë për të shuar çdo zë kritik. Sepse nëse nuk flitet, nuk ka debat, dhe nëse nuk ka debat, mbetet vetëm zëri i vjetër dhe i lodhur i një lideri që nuk di të largohet. Statuti i Partisë Demokratike është i qartë: kush humbet zgjedhjet duhet të japë dorëheqjen. Por Sali Berisha, në vend që të pranojë këtë normë demokratike, e ka kthyer partinë në peng të interesave të tij personale e familjare.

Në PD ka ende njerëz me integritet, që kanë treguar se dinë të përfaqësojnë njerëzit dhe dinë të marrin besim me votë – një prej tyre është Jorida Tabaku, e cila ka ditur të qëndrojë me dinjitet dhe të krijojë profil politik. Por këta njerëz mbahen mënjanë, sepse Berisha ka zgjedhur të jetë gjenerali i një ushtrie të vdekur, një ushtri pa shpresë, pa vizion dhe pa strategji.

Përse nuk është bërë asnjë analizë e humbjes? Pse nuk është pranuar asnjë faj? Sepse Berisha nuk pranon të humbasë, edhe pse realisht i ka humbur të gjitha betejat. Madje edhe sfida me Lulzim Bashën – një betejë ku pretendonte se do të ringjallte PD-në – përfundoi me një humbje të re. Dhe sot ai është kthyer në simbolin e asaj që PD nuk duhet të jetë më: një parti e lodhur, pa vizion, që shikon vetëm pas në të shkuarën.

Lidershipi aktual po e mban peng partinë, sikur PD të jetë pronë private. Nuk ka rëndësi a digjen mandatet apo jo, nuk ka rëndësi çfarë ndodh me zgjedhjet, nuk ka rëndësi asgjë tjetër përveç faktit që Berisha të mbajë karrigen. Nuk mohohet kontributi i tij në të kaluarën, por ka ardhur koha të kuptohet se etapa e tij ka përfunduar. Nëse nuk ka një riformatim të opozitës, nëse nuk ka një ringritje të vërtetë me figura të reja, atëherë demokracia shqiptare është e dënuar të mbetet peng i këtij tranzicioni të pafund.

Dhe pyetja që lind vetvetiu është: pse nuk thërrasin protesta? Sepse askush nuk i ndjek më. As Sali Berishën, as Flamur Nokën. Janë figura të konsumuar, pa ndikim real në shoqëri, të cilët sot vetëm sa shërbejnë si fasadë për një opozitë që ka humbur busullën dhe kuptimin e ekzistencës së saj.

🗣 Alesia Balliu

Written by: WindowMedia.de

Rate it